Prej fillimit të dhjetorit ka nisur shpërndarja e bonusit të fundvitit në qytetin e Belshit, por për pensionistët kjo shumë është krejtësisht e pamjaftueshme për të përballuar koston e jetesës. Ata thonë se një rritje e qëndrueshme e pensioneve duhej të ishte bërë gjatë gjithë vitit, pasi me të ardhurat që marrin aktualisht mezi ia dalin të mbyllin muajin.
“Të gjitha çmimet janë rritur, me këto pensione nuk përballojmë dot as ilaçet, as ushqimet. Na duhet t’u kërkojmë ndihmë fëmijëve që punojnë jashtë,” shprehen disa prej pensionistëve.
Sipas tyre, pavarësisht viteve të tëra kontribut, pensionet vazhdojnë të jenë të ulëta, shumica prej tyre nuk e kalojnë shifrën 150–200 mijë lekë të vjetra dhe nuk u mbulojnë as nevojat minimale.
Situata rëndohet edhe më shumë nga fakti se Belshi është shpopulluar ndjeshëm. Rinia është larguar drejt emigrimit për shkak të mungesës së mundësive ekonomike, duke lënë pas lagje të tëra ku jetojnë vetëm të moshuar, shpesh dy të moshuar për çdo shtëpi.
Pensionistët apelojnë se shteti duhet të kujtohet për ta jo vetëm një herë në vit me një bonus të vogël, por të ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e jetesës së tyre gjatë gjithë vitit.
© SYRI.net