Pensionistët në Korçë kanë reaguar me pakënaqësi lidhur me bonusin e fundvitit, duke e cilësuar atë të pamjaftueshëm dhe tregues të mungesës së vëmendjes ndaj kësaj shtrese të shoqërisë. Sipas vendimit të qeverisë, ata pensionistë që marrin më pak se 200 mijë lek të vjetra do të përfitojnë 150 mijë lek, ndërsa për ata që kanë pensione mbi këtë shumë është parashikuar një bonus prej 100 mijë lekësh.
Megjithatë, përfitimi financiar i shpallur nuk ka arritur t’i ngushëllojë pensionistët, të cilët theksojnë se jetesa është bërë gjithnjë e më e vështirë dhe se shumat e premtuara nuk sjellin asnjë ndryshim të ndjeshëm në buxhetin e tyre mujor.
LEXO EDHE: Pse Edi Rama i përbuz kaq shumë pensionistët?
Shumë prej tyre shprehen se bonuset e fundvitit nuk janë zgjidhje, por thjesht masa të përkohshme që përdoren një herë në vit për të dhënë përshtypjen se po bëhet diçka për ta.
Ata theksojnë se problemi kryesor mbetet pensioni i ulët, i cili nuk i mbulon dot nevojat elementare të jetesës, nga ushqimet te ilaçet e deri te pagesat mujore.
Një pjesë e mirë e pensionistëve pranojnë se mbështetjen kryesore e marrin nga fëmijët e tyre, të cilët jetojnë në emigracion.
Sipas tyre, ndihma financiare nga familjarët është ajo që ua lehtëson disi jetesën, ndërsa mbështetja nga shteti vazhdon të jetë e pamjaftueshme.
LEXO EDHE: BIRN: Si i joshi Rama pensionistët me bonusin para zgjedhjeve
Disa të moshuar e krahasojnë situatën e tyre me atë të pensionistëve në Kosovë, duke theksuar se ndonëse Kosova është një shtet më i ri dhe me ekonomi më të vogël, sipas tyre ofron më shumë lehtësira dhe mbështetje për pensionistët. Për ta, ky krahasim është tregues i mungesës së vëmendjes dhe investimeve sociale ndaj pensionistëve në Shqipëri.
Në përfundim, mesazhi i pensionistëve të Korçës është i qartë, ata kërkojnë jo bonuse të përkohshme, por reforma të mirëfillta dhe rritje dinjitoze të pensioneve që të mund të përballojnë jetesën me dinjitet. Për ta, respekti nuk matet me një shumë të vogël një herë në vit, por me politika të qëndrueshme që u garantojnë siguri dhe mirëqenie gjatë gjithë vitit.
© SYRI.net