Afro dy kilometra rrugë e amortizuar po kthehet në problem të përditshëm për banorët e fshatit Tojgan, në njësinë administrative Cakran, Fier. Aksesi që lidh Hambarin me Tojganin, por që shërben gjithashtu për 12 fshatra, është jashtë funksionit prej më shumë se 20 vjetësh, pa asnjë investim serioz.
Banorët tregojnë se rruga është e pakalueshme si në verë, ashtu edhe në dimër.
Fëmijët hasin vështirësi për të shkuar në shkollë, mjetet dëmtohen vazhdimisht, ndërsa prodhimet bujqësore nuk mund të dalin në treg, duke shkaktuar humbje të mëdha për familjet.
Situata është aq e rëndë, sa për të arritur në lagjen e fundit të fshatit, banorët detyrohen të bëjnë një devijim prej 15 kilometrash, vetëm për të shmangur dy kilometrat e rrugës së prishur, që i ka izoluar.
Edhe investimi i FShZh-së, me shtrimin e vetëm 300 metrave çakulli në hyrje të fshatit, konsiderohet nga banorët i pavlefshëm, pasi nuk zgjidh asnjë problem real dhe “nuk i shërben askujt”.
Në Tojgan, pritja për një rrugë të denjë dhe funksionale vazhdon.
© SYRI.net