Fermerët e ullirit në zonën e Krrabës dhe Petreshit në Elbasan janë të zhgënjyer nga prodhimi i këtij viti. Sipas tyre, investimet kanë qenë të mëdha, ndërsa faktori kryesor që po dëmton këtë kulturë është ndotja e madhe nga industria e rëndë. Ata shprehen gjithashtu se edhe çmimi i shitjes së vajit është i ulët, duke mos nxjerrë as kostot e investimit.
SYRI TV
Zona e Krrabës e Petreshi në Elbasan njihen për prodhimtarinë e ullirit, por ky vit duket se nuk ka qenë aspak i mbarë. Fermerët e mbetur në zonë, shumica në moshë të tretë, janë të zhgënjyer nga prodhimi i paktë pasi shërbimet që kanë bërë gjatë vitit kanë qenë të shumta.
Sipas tyre, ndikim në këtë situatë ka pasur dhe ndotja e zonës nga industritë e rënda, pasi që prej hapjes së tyre prodhimi është gjithnjë e më i ulët.
Fermerët shprehen se mundi i kujdesit për ullinjtë është i madh pasi në zonë nuk ka më të rinj e fuqi punëtore e, si pasojë, detyrohen të punojnë vetë. Në anën tjetër ata thonë se kurrë nuk kanë pasur mbështetje nga shteti e çdo investim janë detyruar ta bëjnë vetë. Përpos prodhimit të ulët, për ta problem është edhe çmimi me të cilin vaji tregtohet 700 deri në 800 lekë të reja, çmim i cili nuk i mbulon shpenzimet e bëra gjatë vitit në shërbimin për pemët.
© SYRI.net