22 punonjës të pastrimit të rrugëve dhe trotuareve në Bashkinë Vlorë kanë dalë sot në protestë para institucionit, duke kundërshtuar vendimin e bashkisë për t’i kaluar nga puna gjatë natës në fshirjen e qytetit gjatë ditës. Sipas tyre, vendimi është marrë pa konsultim dhe bie ndesh me kontratat e punës të nënshkruara mes palëve. Punonjësit pretendojnë se ndryshimi i orarit nga 6 në 8 orë dhe mënyra e re e llogaritjes së pagesës do të çojë në ulje të të ardhurave të tyre mujore.
Ata theksojnë se është e pamundur të kryhet pastrimi i qytetit gjatë ditës, për shkak të qarkullimit të lartë të automjeteve dhe këmbësorëve, çka e bën punën shumë më të vështirë dhe më pak efektive.
Punonjësit shprehen se vendimi i bashkisë nuk është diskutuar me ta dhe se ndryshimet e parashikuara nuk përfshihen në kontratën e tyre të punës.
Protestuesit kanë kërkuar një takim me kryetaren e Bashkisë Vlorë. Në mungesë të saj, ata janë pritur nga përgjegjësi i burimeve njerëzore, i cili sipas përfaqësuesit të punonjësve u ka komunikuar se “vendimi është marrë” dhe nuk parashikohet të ndryshohet.
Nga ana e Bashkisë, vendimi për ta kaluar shërbimin e fshesës nga nata në ditë argumentohet si më efektiv dhe me rezultate më të mira për pastërtinë e qytetit.
Pavarësisht shpjegimeve, punonjësit tërheqin vëmendjen se nuk do ta pranojnë këtë ndryshim dhe se janë të gatshëm të ndërpresin punën deri sa të zhvillohet një takim i drejtpërdrejtë me drejtuesit e bashkisë, ku zëri i tyre të dëgjohet.
Protesta pritet të vijojë edhe ditët në vijim, nëse nuk merret një vendim i ri për çështjen e tyre.
© SYRI.net