72-vjeçarja Margalina Dundo jeton çdo ditë duke rrezikuar jetën e saj në banesën që është thellësisht e amortizuar. Ajo është shprehur për SyriTV se ka bërë kërkesë për ndihmë në Bashki prej 6 vitesh, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje konkrete.
Kjo është panorama e shtëpisë së 72-vjeçares nga Kuçova, Margalina Dundo, që jeton me frikën se çdo natë shtëpia mund ta përpinë. Ajo banon në një ndërtesë të shkatërruar, ku 6 vite e gjysmë më parë një nga komshijtë e saj devijoi rrjedhën e ujërave të larta, duke shkaktuar përhapjen e tyre në themelet e banesave. Themelet e shtëpisë së Margalinës kanë rrëshqitur, muret janë çarë, tavani ka rënë, dhe kolonat e bazamentit prej betoni janë çarë dhe spostuar.
Ajo tregon se prej 6 vitesh endet në dyert e Bashkisë Kuçovë, ku vetëm e gënjejnë dhe nuk i japin asnjë zgjidhje. Margalina i bën apel bashkisë dhe institucioneve që të vijnë dhe të konstatojnë se shtëpia është e pabanueshme.
72-vjeçarja jeton çdo ditë me frikën se shtëpia mund ta përpinë, sepse, siç pohon vetë ajo, banesa është bërë e pabanueshme.
© SYRI.net