Përroi i Glinës del nga shtrati përmbyt Vaun e Dejës, 100 banesa nën ujë, kryebashkiaku: Situata mjaft e rëndë

13:05, 26/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qarku i Shkodrës i përfshirë nga reshje të dendura të shiut paraditen e sotme po përballet me një situatë të vështirë përmbytjesh. Pamjet e mbërritura në redaksinë e Syri.tv rikthejnë në kujtesën e banorëve përmbytjet e mëdha të 2011.

Në Harkun e Bërdicës, ka pasur prezencë uji në banesat e Bërdicës së Madhe. Në zonën e Gurit të Zi ka pasur toka bujqësore të nën ujë. Situata më problematike është në bashkinë Vau i Dejës ku uji ka shkaktuar dëme të shumta.

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli thotë se përroi i Glinës ka dalë nga shtrati. Deri më tani Shkreli thotë se raportohet për prezencë uji në 100 banesa në këtë bashki. Dalja nga shtrati e Përroit të Glinës është e paralajmëruar. Bashkia ka kërkuar fonde për të ndërhyrë por thirrja e saj ka rënë në vesh të shurdhër ndërsa sot përballemi me një situatë të rëndë

“Vau i Dejës është më problematik, përroi i Glinës ka dalë jashtë shtratit, po bën përmbytje. Janë rreth 100 shtëpi që kanë prezencë të ujit, dëmet janë të mëdha në bagëti dhe shpendë, kosheret e bletëve, shpresojmë të mos rrezikojmë jetën e njerëzve sepse situata është mjaft e rëndë. Stafi i bashkisë është në terren, është përkrah njerëzve, besoj që çdo gjë do shkojë mirë në evakuim, por shpresoj të mos kemi nevojë për evakuim. Problemi kryesor është përroi i Glinës, me fondet e bashkisë së Vaut të Dejës është i pamundur realizimi i këtij projekti”, tha Shkreli.

Strukturat vendore të Mbrojtjes Civile informuan paraditen e sotme se nëse përroi i Glinës del nga shtrati përmbytjet 1/3 se territorit te qytetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco