Skandali me bonusin e tërmetit/ Banorët e Durrësit në protestë: S’kemi marrë lekët prej një viti, drejtoresha nuk firmos

12:37, 22/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dhjetëra qytetarë të prekur nga tërmeti i vitit 2019 janë ngritur në protestë, pasi prej më shumë se një viti nuk kanë marrë bonusin e qirasë së shtëpisë. Të mbetur në rrugë dhe nën presionin e vazhdueshëm të pronarëve të banesave, ata shprehen se institucionet i kanë lënë në harresë, duke i mashtruar nga muaji në muaj.

Sipas dëshmive të qytetarëve, pagesat janë vonuar dhe përfaqësuesit e institucioneve nuk japin asnjë shpjegim konkret për këtë bllokim. Përfaqësuesit e këtyre familjeve deklarojnë se janë gënjyer vazhdimisht me premtimin se paratë do t'u kalonin në llogaritë bankare, por kjo nuk ka ndodhur.

Banorët, të cilët jetojnë në kushte ekstreme, janë shprehur të vendosur për të mos u larguar nga dyert e institucionit deri në marrjen e një zgjidhjeje përfundimtare, duke e konsideruar jetesën e tyre aktuale si një torturë të përditshme.

Situata paraqitet tejet dramatike sidomos për familjet në nevojë ekstreme. Gra të papuna me fëmijë jetimë dhe familje me anëtarë invalidë raportojnë se qiratë janë rritur duke arritur në vlera të papërballueshme, fakt që po i çon ata drejt dëbimit në qiell të hapur.

Një qytetare, e cila ka në ngarkim bashkëshortin dhe vajzën invalide, bëri një thirrje të dëshpëruar për banesa sociale, duke paralajmëruar madje edhe aktin ekstrem të vetëvrasjes brenda mjediseve të bashkisë nëse kërkesat e tyre injorohen sërish. Tensioni mbetet i lartë, ndërsa qytetarët kërkojnë plotësimin e detyrimeve ligjore për strehim nga ana e autoriteteve.

“S’po firmos akoma. Atje po presim, ka dy orë që po na mbajnë aty në dhomë dhe ende s’ka firmosur askush. Na thanë ‘aty rrini’. Për çfarë nuk e firmosin, ‘aty rrini’ na thanë. Lekët erdhën, na thanë që kanë ardhur 200 milionë, por nuk po i ndajnë. Përse nuk i ndajnë, i thashë unë. Lekët kanë ardhur që në shkurt. Jo, thanë, ‘aty rrini’. Për çfarë të rrimë, i thashë unë, këtu do rrimë? Këtu do flejmë? Jemi me fëmijë në rrugë. Drejtoresha nuk ka firmosur dhe s’po firmos.” – shprehet një qytetare.

Një tjetër qytetare thotë se familjet e prekura nuk kanë marrë bonusin e qirasë prej muajsh dhe janë në vështirësi ekstreme ekonomike.

“Erdhëm për lekët tona, për bonusin. Nuk na i japin. Kemi tre muaj nga viti i kaluar, plus edhe këtë vit që ka filluar. Ne duam lekët tona. Qiraxhinjtë po kërkojnë lekët, ne nuk kemi ku t’i marrim. Bonusi i qirasë së shtëpisë për të prekurit nga tërmeti i 2019 nuk po firmoset që të na jepet. Erdhëm herën e parë, na thanë që të hënën do t’i kemi në bankë, por nuk i kaluan. Na kanë gënjyer. Erdhëm sërish sot këtu dhe nuk largohemi pa firmë. Do vazhdojmë protestën.”

Ndërkohë, situata paraqitet edhe më e rënduar për familjet në kushte të vështira sociale dhe ekonomike, të cilat thonë se po përballen çdo ditë me pasiguri për strehimin.

“Po përditë kështu jemi. Rrezik të mos largohemi fare sot nga këtu. Këtu do rrimë, do vuajmë. Siç vuajmë nëpër baraka, ashtu do rrimë këtu, me fëmijë. Një vit kemi pa marrë asgjë. Kështu justifikohemi me qiraxhinjtë: sot, nesër, këtë muaj, muajin tjetër, por asgjë. Na kanë thënë do i merrni të hënën, pastaj ‘pritni’. Asgjë. Ne nuk largohemi më.”

Një qytetare tjetër, e cila thotë se ka në familje persona me aftësi të kufizuara dhe është pa banesë, apelon për zgjidhje urgjente.

“Kemi një vit pa marrë. Duam të drejtat tona. Jemi pa shtëpi, me qira. Po na nxjerrin përjashta, s’kemi ku të shkojmë. Jemi pa punë, me fëmijë jetimë. Na gënjejnë çdo herë. Qiraja ka shkuar 350. Unë kam dy invalidë në familje, jam pa shtëpi, pa asgjë. Kemi gjashtë vjet që kemi bërë letrat. Sot nesër na thonë, por s’ka zgjidhje. Jemi çdo ditë në këtë situatë. Duam banesë sociale, jo premtime boshe.”

Qytetarët paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga protesta deri në marrjen e pagesave të prapambetura dhe një zgjidhjeje të qëndrueshme për strehimin e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco