Kukës/ Reshjet e shiut shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje dherash, rrezik për banorët dhe drejtuesit e automjeteve

11:50, 26/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qarku i Kukësit është përfshirë nga mot i keq, me reshje të dendura shiu dhe mjegull të dendur, duke vështirësuar lëvizjen në të gjitha akset rrugore. Veçanërisht problematike janë segmentet Kukës–Qafë Mali, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Kam–Tropojë dhe Kukës–Bushtricë–Peshkopi, ku janë regjistruar përmbytje, prezencë uji në sipërfaqe, si dhe rënie gurësh dhe inertesh.

Situata ka ndikuar edhe në Rrugën e Kombit, ku mjegulla e dendur në segmentin Kolsh–Tuneli i Kalimashit ka vështirësuar qarkullimin, ndërsa rënie gurësh pranë fshatit Myç–Mamëz dhe divizionit ushtarak të Kukësit ka detyruar drejtuesit e automjeteve të ulin shpejtësinë për të shmangur aksidentet.

Reshjet kanë shkaktuar përmbytje edhe brenda qytetit të Kukësit, në afërsi të Drejtorisë së Policisë dhe sheshit të Obeliskut, duke mbuluar rrugët dhe trotuaret dhe duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve.

Ndërprerje energjie dhe rritje e nivelit të ujit në Liqenin e Fierzës rreth 30 centimetra në ditë shtojnë rrezikun, pasi zona ndodhet pranë një pike kritike.

Autoritetet janë në terren dhe monitorojnë situatën në të gjitha zonat e rrezikshme. Qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë paralajmërimet e sigurisë gjatë kësaj periudhe me mot të paqëndrueshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco