'Jetojnë mes lagështisë dhe mykut prej viteve', familja Çovani apel Bashkisë së Kukësit: Kërkojmë zgjidhje për këtë situatë alarmante!

10:49, 20/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prej shtatë vitesh, ndihma ekonomike është e vetmja e ardhur për Gëzim Çovanin, kryefamiljar në një nga blloqet e banimit të qytetit të Kukësit.

Ai jeton së bashku me bashkëshorten dhe katër fëmijët në kushte që përkeqësohen dita-ditës, për shkak të lagështisë dhe mykut që është përhapur në muret e banesës së tyre.

Çovani shpjegon se shkaku i lagështisë vjen nga kati i sipërm i banesës, por pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, nuk ka mundur të gjejë gjuhën e përbashkët me fqinjët që banojnë mbi ta.

I vendosur të mos lejojë që problemi të kthehet në konflikt mes dy familjeve, Çovani kërkon ndërhyrjen e Bashkisë së Kukësit, jo për ndihmë financiare, por për një zgjidhje institucionale që të parandalojë përshkallëzimin e situatës.

Në mungesë të një administratori, familja Çovani, deri në mirëkuptimin e fqinjit të tyre, vazhdon të jetojë mes mykut dhe lagështisë, duke përballur rrezikun për shëndetin e fëmijëve të tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco