Shtypshkronja [e shpikur nga Johannes Gutenberg në vitet 1440] përshpejtoi përhapjen e dijes. Kjo, në përgjithësi, është një gjë e mirë. Por pati edhe anët e saj negative. Ajo gjithashtu përshpejtoi përhapjen e asaj që mund ta quash me edukatë "propagandë" dhe, me më pak edukatë, "gënjeshtra manipuluese e shkatërruese". Për më tepër, përhapja e dijes pati pasoja të paparashikuara anësore.
Kisha Katolike ishte e entuziazmuar për fuqinë e shtypshkronjës kur risia ndihmoi në mbledhjen e fondeve për kryqëzatat e Kishës dhe në shpërndarjen e më shumë Biblave në duart e më shumë njerëzve. Ndoshta ajo ishte më pak e kënaqur kur shtypshkronja filloi të përdorej për propagandë nga të dyja palët në luftën civile të Mainzit në 1462-in. Dhe, sigurisht, shumë udhëheqës të Kishës ka gjasa ta kenë mallkuar teknologjinë që vetë Kisha kishte ndihmuar të krijohej, kur shtypja e shpejtë i mundësoi Martin Luterit të përhapte në mënyrë të rrufeshme 95 pikat e tij të mospajtimit me Kishën, duke ndezur Reformimin që copëtoi ndikimin e Kishës Katolike. Një e treta e librave të shtypur në Gjermani midis viteve 1518 dhe 1525 ishin të Luterit.
"Tingujt që shoqëronin mesazhin apokaliptik të Luterit ndoshta nuk ishin goditje çekani; ishin cingërima dhe përplasje të shtypshkronjave të zëna," shkruan [historiani John] Man. Dhe kjo histori u përsërit në Angli, teksa peizazhi fetar dhe civil u transformua.
Ndoshta, në fund të fundit, Kisha Katolike i pendua për vendimin për të ndihmuar në nxitjen e një risie që më pas do të nxiste rënien e saj.
Ndryshimi rrënjësor gjithmonë lë pas një hije. Shtypshkronja ishte një bekim për disa, shkencëtarët, revolucionarët, sipërmarrësit që ndërtuan biznese rreth saj, dhe një mallkim për të tjerët: shkruesit, kardinalët dhe këdo tjetër që përfitonte nga injoranca.
Pjesëmarrja e Kishës në një teknologji që në fund të fundit e dëmtoi atë pasqyron një temë të zakonshme në përmbysjet moderne. Shpesh ekziston përshtypja se problemi themelor që kanë të "vjetrit" kur përballen me ndryshime çorganizuese është miopia, pra, që ata thjesht nuk e shohin ndryshimin derisa të jetë shumë vonë. Por unë nuk kam takuar kurrë ndonjë lider tregu që të mos e ketë parë ndryshimin rrënjësor të vinte. Në fakt, në shumë raste, i vjetri, ashtu si Kisha Katolike, luan një rol kritik në zhvillimin e saj.
Merrni për shembull kompaninë Eastman Kodak. Në vitet 1980, Kodak ishte një nga gjigantët e botës së biznesit. Rruga e saj drejt famës nisi kur nxori kamerën e përballueshme Brownie në vitin 1900. Në dekadat që pasuan, Kodak vendosi një pozicion dominues në biznesin fitimprurës të filmit fotografik, me sloganin e saj "ti shtyp butonin, ne bëjmë pjesën tjetër", që tregonte përkushtimin për ta bërë fotografinë të qasshme për masat. Me 19 janar 2012, Kodak shpalli falimentin.
Historia e thjeshtë është se Kodak e humbi kalimin drejt imazherisë digjitale. Por e vërteta është më e ndërlikuar. Kompania krijoi një prototip funksional të një kamere digjitale që në vitin 1975. Inxhinieri pas këtij projekti, Steve Sasson, i tha një fjali të paharrueshme New York Times në vitin 2008, kur kujtoi reagimin e drejtuesve të kompanisë ndaj shpikjes së tij: "Është e lezetshme, por mos i trego askujt." Një batutë e bukur, por jo e saktë. Kodak investoi rëndë në imazherinë digjitale, miliarda dollarë, për të ndërtuar një pozicion të fortë në tregun e kamerave digjitale me linjën EasyShare.
Ajo që në fund e rrëzoi Kodak-un ishte bashkimi i kamerave me telefonat celularë. Njerëzit, sigurisht, nuk reshtën së bëri fotografi; ata thjesht nisën t'i ndanin ato në rrjete sociale në vend që t'i printonin. Dhe ja ku qëndron problemi. Edhe për këtë ndryshim Kodak nuk ishte e pavetëdijshme. Kompania e nisi dekadën e 2000-ës me një bast të guximshëm, duke blerë faqen e ndarjes së fotove Ofoto në maj të vitit 2001.
Imagjinoni një botë ku drejtuesit e Kodak thonë: "Cili është slogani ynë? Ndaj kujtime, ndaj jetë? Atëherë, ta bëjmë sa më të lehtë që njerëzit të ndajnë fotot në Ofoto. Madje, pse të mos i lejojmë të ndajnë edhe përditësime e lidhje me lajme?" Mark Zuckerberg bëri pikërisht këtë gjë kur krijoi Facebook-un. Tre vjet më vonë. Imagjinoni një botë ku rrjetet e para sociale do të drejtoheshin nga korporata të mëdha në vend të startup-eve të lira e spontane. Ndoshta ajo botë do të ishte më e mirë. Ndoshta më e keqe. Por me siguri do të ishte ndryshe.
Në këtë botë, sigurisht, kjo nuk ndodhi. Kodak vendosi markën e saj mbi faqen Ofoto dhe më pas e bëri më të vështirë, jo më të lehtë, për njerëzit të ndanin foto. Në vend që të përpiqej të rishpikte dhe rimendonte veten përballë ndryshimit rrënjësor, Kodak u përpoq të bindte më shumë njerëz të printonin më shumë fotografi.
Ndryshimi rrënjësor është i vështirë. Ai kërcënon ekuilibrat e pushtetit brenda organizatave. Kërkimet moderne të psikologëve të sjelljes tregojnë se njerëzit preferojnë të shmangin një humbje sesa të marrin një fitim të barabartë. Nuk është për t'u habitur, pra, që ndryshimi rrënjësor vendos një lider tregu në një dilemë të vërtetë. Edhe nëse një drejtues e di logjikisht se investimi në ndryshimin rrënjësor është një vendim i mençur në terma afatgjatë, dhimbja afatshkurtër e kalimit nga një gjendje në tjetrën mund të çojë në hezitim natyror. Ndryshimi rrënjësor lë pas një hije. / Big Think - Syri.net
© SYRI.net