Fermerët në fshatin Boshanj, në Bashkinë Kolonjë, japin alarmin se përhapja e karkalecit po dëmton të mbjellat e tyre. Ata tregojnë se situata po rëndohet çdo ditë, teksa shqetësim për ta mbetet sigurimi i ushqimit për familjet dhe blegtorinë gjatë dimrit. Fermerët i bëjnë apel shtetit për ndihmë, pasi me këtë situatë përballen çdo vit.
Prej më shumë se dy muajsh, fshati Boshanj, në Bashkinë Kolonjë, po përballet me një përhapje masive të karkalecëve, të cilët kanë dëmtuar rëndë kulturat bujqësore. Fermerët thonë se janë shkatërruar jonxha, perimet, drithërat, rrushi, lajthitë dhe bimët foragjere, ndërsa rrezikojnë të mbeten pa prodhim dhe pa ushqim për bagëtinë. Fermerët shprehen se ky është viti i tretë radhazi që përballen me të njëjtin problem dhe se ndërhyrjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultat. Ata kërkojnë vlerësimin e dëmeve dhe mbështetje nga institucionet.
Situata po rëndohet çdo ditë, ndërsa shqetësimi më i madh mbetet sigurimi i ushqimit për familjet dhe blegtorinë gjatë dimrit. Fermerët thonë se spërkatjet e kryera deri tani nuk kanë ndalur përhapjen e karkalecëve, të cilët vazhdojnë të dëmtojnë sipërfaqe të tëra me kultura bujqësore.
Ndërkohë, nga informacionet e siguruara në terren mësohet se Drejtoria Rajonale e Bujqësisë është në dijeni të situatës, por spërkatja ende nuk është vënë në zbatim, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të frenuar përhapjen e tyre dhe për të shmangur dëme të mëtejshme.
© SYRI.net