Kryqëzimi i Cërrikut në unazën jugore të Elbasanit është kthyer në një dhimbje koke për kalimtarët dhe për drejtuesit e mjeteve. Prej vitesh nga qytetarët është kërkuar ndërtimi i një mbikalimi apo nënkalimi në këtë vend, por, edhe pse janë ngritur këto shqetësime, askush nuk ka ndërhyrë, duke i lënë kalimtarët në pasiguri dhe në mes të kaosit.
Kryqëzimi i Cërrikut në unazën jugore të qytetit të Elbasanit njihet ndër vite si një pikë ku krijohen vazhdimisht radhë të gjata automjetesh dhe shkaktohen aksidente të shumta.
Situata vështirësohet edhe më tepër pas punimeve të kryera nga ujësjellës-kanalizimet, të cilat kanë lënë gropa dhe rrugë të çara në këtë kryqëzim, devijimi i të cilave shkakton rrezik aksidenti.
Qytetarët tregojnë se ndihen të frikësuar çdo herë që detyrohen të kalojnë në këtë rrugë, në të cilën, sipas tyre, duhet të ishte ndërhyrë prej kohësh.
Syri TV u interesua edhe pranë institucioneve lokale në Elbasan, por, siç është kthyer në traditë, kërkesat për informacione futen në kalendat greke.
© SYRI.net