Në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës ka përfunduar faza e tretë e raundit të dytë të regjistrimeve për programet “Bachelor” dhe ato profesionale dyvjeçare.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në këtë moment janë regjistruar gjithsej 482 studentë, duke shënuar një rritje prej 15 studentësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga ky numër, 369 studentë i përkasin programeve “Bachelor”, ndërsa 113 janë regjistruar në programet profesionale dyvjeçare.
Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane kryeson për nga numri i regjistrimeve me 190 studentë, ndjekur nga Fakulteti Ekonomik me 127, Fakulteti i Edukimit me 103, dhe Fakulteti i Bujqësisë me 62 studentë.
Në disa degë, si Frëngjisht dhe Gjuhë-Letërsi Shqipe e Gjuhë Pakicash, nuk është regjistruar asnjë student.
Ndër programet më të kërkuara këtë vit renditen Infermieri, Mami, Sporte, Informatikë, Financa dhe Anglisht. Gjithashtu, është vërejtur interes në rritje për Fakultetin e Bujqësisë, veçanërisht në Teknologjinë Ushqimore dhe programet e mësuesisë, të cilat kanë arritur numrin minimal të nevojshëm për hapjen e tyre.
Procesi i regjistrimeve do të vijojë me përfundimin e raundeve të dytë dhe të tretë.
Ndërkohë, janë mbyllur edhe aplikimet për programet master shkencor dhe profesional, me gjithsej 463 aplikime.
Në masterin shkencor janë regjistruar 148 kandidatë, ndërsa në masterin profesional 315.
Më i kërkuari rezulton Fakulteti i Edukimit me 200 aplikime, ndjekur nga Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane me 135, Fakulteti Ekonomik me 88, dhe Fakulteti i Bujqësisë me 40 aplikime.
Disa programe si Masteri Shkencor në Shkencat Bujqësore, Arsimi Special dhe Arsimi Fillor kanë tejkaluar kuotat e pranimit, ndërsa masterat e tjerë kanë ende vende të lira.
© SYRI.net