Gjashtë anëtarë të familjes Cora në Labinot-Fushë jetojnë në kushte të skajshme varfërie.
Banesa e tyre është në gjendje të rëndë dhe rrezikon të shembet, ndërsa e vetmja e ardhur mujore për familjen është ndihma ekonomike prej vetëm 4500 lekësh.
Kryefamiljari, Xhevahir Cora, thotë se është zhytur në borxhe për të kuruar nënën e sëmurë, ndërsa motra e tij 56-vjeçare, Fati Cora, e cila vuan nga nanizmi, tregon se prej një viti i është ndërprerë ndihma ekonomike nga shteti. Të dy apelojnë për ndihmë dhe kërkojnë ndërtimin e një banese të re për të shpëtuar nga kushtet çnjerëzore ku jetojnë.
Kjo është thirrja e dëshpëruar e një familjeje që po përballet çdo ditë me mbijetesën. Xhevahiri kujdeset për dy fëmijët, bashkëshorten, nënën dhe motrën e sëmurë në një situatë që ai e përshkruan si të pashpresë.
Pamjet nga banesa në fshatin Labinot-Fushë, në Elbasan, tregojnë më shumë se çdo fjalë. Shtëpia është në prag shembjeje: muret janë të mbuluara nga lagështira, tavani ka nisur të bjerë dhe dëmtimet strukturore e bëjnë të pasigurt edhe qëndrimin brenda saj.
Pavarësisht gjendjes së rëndë, ndihma e vetme që merr familja është ndihma ekonomike minimale prej 4500 lekësh në muaj e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë.
Situatën e vështirë e ka rënduar edhe më tej shteti, duke ndërprerë për arsye të paqarta ndihmën ekonomike të Fati Corës, motrës së Xhevahirit. Ajo tregon se prej një viti nuk ka marrë asnjë mbështetje financiare, ndonëse vuan nga probleme serioze shëndetësore dhe ka bërë disa herë ankesa në institucionet përkatëse.
Deri më sot, bashkia e Elbasanit nuk ka ofruar asnjë formë ndihme për këtë familje, ndërsa kërkesat dhe ankesat e tyre duket se kanë rënë në vesh të shurdhët.
© SYRI.net