Shqipëria vuan ende për bukën e gojës. Ky është treguesi i programit të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin, FAO, e cila e rendit vendit tonë në të njëjtin nivel me Ukrainën, që është në luftë, shumë larg vendeve të tjera në Europë. Sipas FAO, treguesi për Shqipërinë ka ardhur duke u përkeqësuar për periudhën 2022-2024, ndërsa raporton se Shqipëria jo vetëm që nuk ka bërë progres po rrezikon të thellojë kontrastin me fqinjët në treguesin e nën-ushqyerjes
SYRI TV
Shqipëria ka nivelin më të lartë të nën-ushqyerjes në Europë duke u klasifikuar vetëm me Ukrainën një vend tashmë prej vitesh në luftë. Kështu tregon programi i Kombeve të Bashkuara për Ushqimin, FAO, në hartën globale mbi prevalencën e nën-ushqyerjes për periudhën 2022–2024. Sipas të dhënave më të fundit të FAO-s për këtë periudhë Shqipëria shfaqet si i vetmi vend në Europë ku nën-ushqyerja është ende problem. Teksa pjesa dërrmuese e vendeve europiane kanë prevalencë pothuajse zero të popullsisë që nuk arrin të sigurojë ushqim të mjaftueshëm, Shqipëria paraqitet me një ngjyrë më të errët, ndryshe nga fqinjët dhe nga standardi i europian.
Sipas vlerësimeve të FAO-s, prevalenca e nën-ushqyerjes në Shqipëri llogaritet rreth 5.4% e popullsisë, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian ky tregues është nën 2%, shpesh edhe i papërfillshëm. Për krahasim, në vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Greqia, fenomeni është i padukshëm në statistikat e FAO-s, duke treguar se aksesi në ushqim është më i qëndrueshëm. Të dhënat e FAO tregojnë se nën-ushqyerja në Shqipëri erdhi në rritje. Në fillim të periudhës (2014–2016), prevalenca e nën-ushqyerjes ka qenë 4.5%, duke mbetur relativisht e qëndrueshme për disa vite radhazi, me luhatje të vogla në intervalin 4.3–4.5%.
Kjo tregon se për një periudhë të gjatë, situata ka qenë pothuajse njësoj, pa rritje apo ulje të dukshme. Megjithatë, pas vitit 2019–2020 vihet re një tendencë rritëse, ku nga niveli 4.3%, prevalenca e nën-ushqyerjes arrin në 5.4% për vitet 2020–2021, duke u rritur më tej në 5.8% në 2021–2022 dhe duke shënuar një kulm të ri në 6.2% në periudhën 2021–2023. Në periudhën më të fundit, 2022–2024, niveli i nën-ushqyerjes ra në 5.4%, duke shënuar një përmirësim të lehtë, por mbetet dukshëm më i lartë sesa mesatarja e viteve të mëparshme. FAO raporton se Shqipëria jo vetëm që nuk ka bërë progres po rrezikon të thellojë kontrastin me fqinjët në treguesin e nën-ushqyerjes.
Teksa vendet e tjera europiane e kanë çuar fenomenin e nën-ushqyerjes drejt zhdukjes, Shqipëria, një vend ku gjithë ditën në institucionet qeveritare flitet për anëtarësim në BE, ka mbetur një “pikë e errët” në një kontinent që konsiderohet shembull i sigurisë ushqimore.
© SYRI.net