Secili prej nesh do të përjetojë diçka në jetë që na shndërron thellësisht. Jeta njerëzore është një aventurë dhe një kalitje. Shumë njerëz sot përdorin shprehjen "përvoja formuese", por ideja e një zgjimi apo nisjeje të një lloji të caktuar është po aq qendrore për natyrën njerëzore sa gjumi apo dashuria. Ata që studiojnë tregimet dhe mitet tona theksojnë se shpesh kanë ngjashmëri të habitshme. Për shembull, ato përfshijnë një ndarje nga shtëpia, një provë karakteri dhe më pas një rikthim në shtëpi me një mençuri ose forcë të re.
Një nga këto prova që na transformojnë ndodh kur humbasim dikë që e duam thellësisht dhe sinqerisht. Ata që kanë përjetuar pikëllim kuptojnë diçka më shumë për jetën. Kur vuajmë humbjen e dikujt që e duam, e dimë se ç'do të thotë të mbetesh vetëm dhe pas. Në nivel intelektual, e dimë se gjithçka duhet të vdesë. Mund të vlerësojmë racionalisht përkohshmërinë e jetës, shkatërrimin biologjik dhe entropinë në univers. Por ta njohësh vdekjen, ta ndiesh dhe ta përballosh humbjen, të jep një kuptim që asnjë poezi, film apo libër nuk mund ta përcjellë.
Shumë filozofë kanë eksploruar idenë e pikëllimit dhe vdekjes, dhe për shumë prej tyre, kjo është gjëja më e rëndësishme që lidhet me të qenit gjallë.
Memento mori
Për shumë njerëz, si të rinjtë apo ata me fat, nuk ka nevojë të përballen me vdekshmërinë. Mund të kalojnë ditët e tyre pa menduar asnjë çast për pyetjet e mëdha rreth përjetësisë. Nuk u shkon ndër mend të reflektojnë mbi vdekjen e tyre apo të të tjerëve rreth tyre. Me shumë gjasë, kurrë nuk do ta mendojnë se njerëzit që kanë në jetën e tyre, një ditë, do të zhduken përgjithmonë.
Ata nuk e vlerësojnë faktin se do të vijë një kohë kur secili nga ne do të ketë vaktin e fundit, të qeshurën e fundit, dhe frymën e fundit. Se do të ketë një përqafim të fundit me dikë që e do, dhe pastaj asgjë më.
Sigurisht, ata e dinë këtë në një cep të largët të ndërgjegjes së tyre, por nuk e ndiejnë. Është "objektive" në nivel intelektual, por mungon subjektiviteti emocional. U mungon thellimi që ndodh tek ata që kanë mbajtur dorën e një prindi në shtratin e vdekjes, që kanë qarë në funeralin e një vëllai, apo që kanë soditur me orë fotografitë e një miku që nuk jeton më. Për ata që nuk e njohin pikëllimin, duket sikur ai vjen nga jashtë. Në të vërtetë, dëshpërimi i pikëllimit të vërtetë është diçka që buron nga brenda. Dhemb dhe pulson në vetë qenien tënde.
Burimi i dëshpërimit
Për një çështje kaq universale, të ndjeshme dhe prekëse si pikëllimi, nuk ka një qëndrim të vetëm filozofik. Gjatë një pjese të madhe të historisë, filozofët ishin gjithashtu zakonisht fetarë, ndaj kjo çështje u takonte priftërinjve, shkrimeve të shenjta apo meditimit.
Studiuesit para-kristianë të Greqisë dhe Romës së lashtë janë ndoshta përjashtim. Por edhe atje, filozofët u rritën brenda një sfere të mbushur me supozime fetare. Sot është bërë modë të lexohen referencat e lashta për "shpirtin", për shembull, si metafora poetike ose psikologjike. Megjithatë, me përjashtimin e mundshëm të epikurianëve, bota e lashtë kishte shumë më tepër religjion sesa do të na pëlqente ne, njerëzve modernë dhe laikë.
Për Søren Kirkegardin, ndjesia e thellë e vdekshmërisë që ndiejmë pas përjetimit të pikëllimit, ai e quajti "dëshpërim". Dhe në netët e gjata të dëshpërimit, mund të nisemi në udhëtimin për të zbuluar vetveten më të vërtetë. Kur përballemi në mënyrë domethënëse me faktin se gjërat në jetë nuk janë të përjetshme dhe asgjë nuk zgjat përherë, kuptojmë se sa me pasion dëshirojmë që ato të jenë të përjetshme. Burimi i dëshpërimit është pikërisht kjo dëshirë për "përjetësinë". Për Kirkegardin, mënyra e vetme për të kapërcyer dëshpërimin, për ta lehtësuar këtë gjendje, është dorëzimi. Ekziston një përjetësi ku mund të humbasim veten. Ekziston besimi, dhe pikëllimi është porta e errët, prej mermeri, drejt besimit.
Filozofia e pikëllimit
Pas Epokës së Iluminizmit dhe ngritjes së një filozofie pa Zot, mendimtarët nisën ta shohin vdekjen në një dritë të re. Të shohësh vdekjen vetëm si një portë drejt religjionit nuk funksiononte më.
Epikurianët e lashtë grekë dhe shumë filozofë lindorë (edhe pse jo të gjithë), besonin se ky ndjesim i fuqishëm i pikëllimit mund të kapërcehet duke hequr dorë nga dëshira jonë e gabuar për pavdekësi. Edhe stoikët pajtoheshin me idenë se vuajmë sepse mendojmë gabimisht se gjërat na përkasin përgjithmonë. Me një ndryshim mendor, apo pas meditimit të thellë, mund të arrijmë ta pranojmë këtë si krenari të kotë.
Fenomenologu gjerman Martin Haideger argumentonte se prania e vdekjes në jetën tonë i jep kuptim të ri faktit që jemi të lirë të zgjedhim. Kur kuptojmë se vendimet tona janë gjithçka që kemi, dhe se e gjithë jeta jonë përfundon me një goditje përmbyllëse, kjo e fuqizon veprimin tonë dhe na jep një "guxim". Siç shkroi ai: "Të qenët i pranishëm është i themeluar në kthimin nga [vdekja]." Është një temë që i përngjan idesë mesjetare së memento mori, pra, ta mbash vdekjen pranë për ta bërë çastin e tanishëm më të ëmbël. Kur humbasim dikë që duam, kuptojmë se jemi, me të vërtetë, të mbetur pas, dhe kjo i jep një rëndesë të re zgjedhjeve tona.
Por për Albert Kamynë gjërat janë disi më të zymta. Edhe pse veprat e Kamysë ishin një përpjekje e qëllimshme dhe e fuqishme për të përballuar humnerën e zbrazëtisë nihiliste, zgjidhja e tij e "absurditetit" nuk është një ilaç i lehtë. Për Kamynë, pikëllimi është një gjendje e të qenit i pushtuar nga kotësia e gjithçkaje. Pse të duam, kur dashuria përfundon me kaq shumë dhimbje? Pse të ndërtojmë gjëra të mëdha, kur gjithçka do të kthehet në pluhur? Me pikëllimin vjen vetëdija për përfundimin e hidhur të gjithçkaje, dhe bashkë me të, një zemërim i ashpër dhe dëshpërim që bërtet: Pse jemi këtu? Sugjerimi i Kamysë është një lloj hareje makabre, ndoshta një humor i zi, që thotë se duhet ta shijojmë udhëtimin për atë që është: një udhëtim pa kuptim. Duhet ta imagjinojmë veten të lumtur.
Tri përgjigje ndaj pikëllimit
Këtu kemi tri përgjigje të ndryshme ndaj pikëllimit. Kemi kthesën fetare të Kirkegardit, carpe diem-in ekzistencial të Haidegerit, dhe të qeshurën deri në vdekje të Kamysë.
Për shumë njerëz, pikëllimi përfshin një ndarje nga jeta. Mund të ndihet si dimri i shpirtit, ku kemi nevojë të shërohemi dhe të kuptojmë përsëri ekzistencën. Është një lloj krizalide. Në shumë raste, kthehemi në jetë me një mençuri të fituar dhe mund ta vlerësojmë botën e përditshme në një mënyrë krejtësisht të transformuar. Për disa, ky "hibernim" zgjat shumë gjatë, dhe shumë nisin ta shohin tërheqjen e tyre të ftohtë si gjithçka që ekziston.
Këta janë njerëzit që do të kenë nevojë për ndihmë. Pavarësisht nëse pajtohemi me Kirkegardin, Haidegerin apo Kamynë, një gjë është e vërtetë për të gjithë: të folurit ndihmon. Të shprehësh mendimet, të ndash dëshpërimin, dhe të kthehesh drejt dikujt tjetër është flladi i butë dhe i ngrohtë që nis shkrirjen. / Big Think - Syri.net
© SYRI.net