Lajmi i fundit

E ngatërruan me një person me precedent, policia greke bën për spital 29-vjeçarin nga Maliqi

Kush ishte Sesilia Peini dhe si e ndryshoi ajo astronominë?

Kush ishte Sesilia Peini dhe si e ndryshoi ajo astronominë?

13:09, 03/04/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në vitin 1919, një studente në Universitetin e Kembrixhit kishte një biletë shtesë për një ligjëratë nga një astronom që sapo ishte kthyer nga një udhëtim në brigjet perëndimore të Afrikës, ku kishte vëzhguar yjet dhe një eklips diellor.

Sesilia Pein-Gaposhkin, atëherë 19 vjeçe dhe studente, mori biletën shtesë. Ligjërata i ndryshoi jetën dhe e frymëzoi të bëhej astronome.

"Nuk fjeta për tre net," shkroi ajo më vonë.

Nga ana e saj, Pein-Gaposhkin ndryshoi astronominë kur propozoi teorinë e përbërjes së yjeve. Megjithëse shkenca më vonë do ta pranonte teorinë e saj, madje disa përpiqeshin t’i atribuonin vetes meritat, ajo u përball me diskriminim dhe refuzim gjatë gjithë karrierës së saj të shquar.

Çfarë zbuloi Sesilia Peini?

Në mesin e viteve 1800, astronomët besonin se të njëjtat elemente që përbënin Tokën, përbënin gjithashtu yjet, kometat dhe planetët e tjerë. Përparimet në teleskopë u lejuan shkencëtarëve të shihnin qiellin në një mënyrë të re, por shumica e tyre i qëndronin mendimeve tradicionale.

Në vitin 1924, Pein-Gaposhkin ishte studente doktorature në fizikë në Universitetin e Harvardit. Ajo kishte përfunduar studimet universitare në Universitetin e Kembrixhit në Angli, por, pasi ky institucion nuk u jepte diploma grave, ajo u detyrua të shkonte në SHBA për të ndjekur studimet e saj të avancuara.

Duke përdorur teleskopin në observatorin e Harvardit, ajo pa universin në një mënyrë të re.

"Ajo përllogariti se yjet ishin kryesisht të përbërë nga hidrogjeni, në sasi një milion herë më të madhe sesa supozonte komuniteti shkencor," thotë Donovan Moore, autor i librit "Nga çfarë përbëhen yjet: Jeta e Sesilia Pein-Gaposhkinit."

Sesilia Peini dhe lënia e derës hapur

Në atë kohë, teoria e shkrirjes bërthamore nuk ekzistonte ende, dhe shkencëtarët besonin se dielli kishte të njëjtën përbërje kimike si Toka. Pein-Gaposhkin kreu një analizë spektrale dhe zbuloi se yjet ishin të përbërë pothuajse tërësisht nga hidrogjeni dhe heliumi.

Edhe vetë ajo u befasua fillimisht nga rezultatet e saj. Por ajo besoi te llogaritjet e veta dhe i paraqiti gjetjet në disertacionin e doktoraturës. Megjithëse ishte e saktë, shkencëtarët kryesorë në fushën e astrofizikës nuk ishin të gatshëm të pranonin një teori të re, veçanërisht kur vinte nga një studente, e aq më tepër një grua.

"Kur ajo ia tregoi gjetjet e saj Henry Norris Russell-it, drejtorit të Observatorit të Princeton-it dhe një prej astronomëve më me ndikim në Amerikë, ai i tha prerazi se ishte gabim," thotë Moore. "Por Sesilia besoi në rezultatet e saj dhe ishte e zgjuar. Ajo e rishkroi tezën e saj duke thënë se hidrogjeni ‘me shumë gjasa’ nuk ishte aq dominant sa kishte zbuluar."

Fjala me shumë gjasa, sipas Moore, ishte mënyra e saj për të lënë “derën hapur” në mënyrë që në të ardhmen të pranohej si e saktë.

Një karrierë e ndritur

Doli se Pein-Gaposhkin kishte pasur të drejtë, dhe sot shkencëtarët pranojnë se yjet (përfshirë diellin) janë të përbërë nga 73% hidrogjen dhe 25% helium.

Ndërsa komuniteti shkencor u përshtat me idenë se yjet dhe dielli nuk kishin të njëjtën përbërje si Toka, kritikët e Pein-Gaposhkin nxituan të merrnin meritat për veten e tyre.

"Vite më vonë, doli se ajo kishte të drejtë, dhe këtë e deklaroi vetë njeriu që i kishte thënë se e kishte gabim: Norris Russell. Dhe ai mori gjithë meritat," thotë Moore.

Historia më vonë do ta korrigjonte veten, dhe Pein-Gaposhkin do të njihej si shkencëtarja që identifikoi përbërjen e vërtetë të yjeve. Megjithatë, ajo nuk do të kujtohej aq gjerësisht sa shkencëtarët e tjerë që bënë zbulime të rëndësishme.

Një vendosmëri yjore

Pasi Pein-Gaposhkin e korrigjoi disertacionin duke kufizuar pohimin për hidrogjenin, ajo u diplomua me doktoraturë në vitin 1925. Edhe pse idetë e saj u përballën me skepticizëm të madh, Moore thotë se ajo besoi te vetja dhe nuk u dorëzua ndaj kritikave.

Ajo gjithashtu mbeti e vendosur për të ndërtuar një karrierë në astronomi, pavarësisht se fusha ishte pothuajse tërësisht mashkullore dhe nuk mirëpriste gratë.

"Në fund ia vlejti," thotë Moore. "Ajo u njoh më në fund për zbulimin e saj, u martua, krijoi një familje dhe u bë gruaja e parë profesoreshë në Harvard që u promovua në të gjitha nivelet akademike. Më vonë, u bë kryetare e Departamentit të Astronomisë në Harvard."

Shkencëtarët më vonë do ta kujtonin Pein-Gaposhkinin për arritjet e saj dhe për mënyrën se si këmbëngulja e saj për të qenë pjesë e komunitetit shkencor do të hapte dyer për gratë e tjera. Vera Rubin, e cila zbuloi se materia e errët dominon universin dhe fillimisht u përball me skepticizëm, e ka përmendur Pein-Gaposhkinin si një burim frymëzimi.

Në fund, Pein-Gaposhkini triumfoi. Tre vjet para vdekjes së saj në vitin 1979, ajo mori një çmim për arritjet gjatë jetës nga Shoqata Astronomike Amerikane. Si për ironi, çmimi mbante emrin e Henry Norris Russell-it, njërit prej kritikëve të saj të hershëm dhe shkencëtarit që u përpoq të merrte meritat për punën e saj.

"Ishte jashtëzakonisht e vështirë për një grua të merrej seriozisht në vitet 1920. Fatkeqësisht, ajo u gjend në atë situatë. Gjithashtu, është për të ardhur keq që gjërat nuk kanë ndryshuar shumë," thotë Moore. / Discover Magazine - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco