Rritja e dhunës seksuale në Bashkimin Europian vitet e fundit ka gjeneruar një debat intensiv mbi rolin e emigracionit masiv në këto krime. Ndërsa disa aktorë politikë dhe mediatikë janë përpjekur të minimizojnë korrelacionin, të dhënat zyrtare dhe raportet e shumta zbulojnë një realitet tjetër. Ndikimi i emigracionit masiv, kryesisht nga rajone me sisteme vlerash dhe norma kulturore që ndryshojnë rrënjësisht nga ato europiane, ka sfiduar sigurinë dhe kohezionin shoqëror në shumë qytete të kontinentit.
Sipas Agjencisë së Bashkimit Europian për të Drejtat Themelore, rreth një në dhjetë gra në BE kanë përjetuar një formë të dhunës seksuale që nga mosha 15 vjeçe. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e këtyre krimeve vitet e fundit nuk mund t’i atribuohet ekskluzivisht rritjes së ndërgjegjësimit dhe raportimeve.
Në Spanjë, raportet për dhunë seksuale janë rritur paralelisht me rritjen e emigracionit. Në vitin 2021, u regjistruan 15,845 ankesa për krime seksuale, 8% më shumë se vitin e kaluar. Sipas raporteve të Ministrisë së Brendshme, rreth 15% e autorëve ishin të huaj, me Marokun dhe Rumaninë ndër kombësitë më të përfaqësuara, me 25% dhe 15% respektivisht. Pavarësisht retorikës së Ministrisë së Barazisë në Spanjë dhe miliarda eurove të investuara në "barazinë gjinore", viti 2024 u mbyll me një rekord prej 5258 sulmesh dhe përdhunimesh dhe 47 gra të vrara.
Italia gjithashtu ka përjetuar një rritje të krimeve seksuale të kryera nga të huajt. Sipas të dhënave të institutit italian të statistikave (Istat), në vitin 2020 u regjistruan 4886 raste përdhunimi, 5% më shumë se në 2019. 30% e autorëve ishin emigrantë, me sulmues nga Rumania, Maroku dhe Nigeria që binin në sy. Situata në Francë nuk është ndryshe, me 25% të autorëve me origjinë të huaj, kryesisht nga Algjeria, Maroku dhe Tunizia, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Franceze. Në vitin 2022, u regjistruan 34,000 ankesa për përdhunime, një rritje prej 15% krahasuar me vitin 2021.
Belgjika dhe Gjermania janë dy vende të tjera veçanërisht të prekura nga ky fenomen. Në vitin 2021, Belgjika regjistroi 5000 raportime për dhunë seksuale, me 20% të autorëve me origjinë të huaj. Gjermania, një nga vendet më të goditura nga kriza e emigracionit të vitit 2015, raportoi 11,500 raste përdhunimi në vitin 2022, me një përqindje alarmante prej 40% të autorëve me origjinë siriane, afgane ose irakiane.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kriza e sulmeve seksuale nga bandat e emigrantëve ka qenë veçanërisht tronditëse. Skandali i Rotherham-it, ku të paktën 1400 vajza u abuzuan nga grupe të organizuara me origjinë pakistaneze, kurde dhe kosovare mes viteve 1997 dhe 2013, ekspozoi mosveprimin e autoriteteve nga frika e akuzave për racizëm. Në vitin 2022, u regjistruan 70,000 ankesa për përdhunime (191 ankesa në ditë), 25% më shumë se në vitin 2021.
Në vitin 2022, Suedia, Islanda dhe Franca ishin tre vendet me numrin më të lartë të rasteve të përdhunimit për 100,000 banorë, Suedia me 200.34, Islanda me 165.32 dhe Franca me 126.08. Vendet më të sigurta ishin Greqia, Maqedonia e Veriut, Lituania, Shqipëria dhe Hungaria, me rreth gjashtë raste ose më pak.
Më shumë statistika mund të gjeni në Statista
Këto të dhëna tregojnë një realitet që nuk mund të fshihet dhe duhet të përballet me një qasje jo ideologjike. Shqetësimi në rritje i publikut për rritjen e krimeve seksuale ka forcuar mbështetjen për partitë e djathta, të cilat kanë parë një rritje të ndjeshme në sondazhe.
Parti si Alternativa për Gjermaninë (AfD), Partia e Lirisë së Austrisë (FPÖ) dhe VOX në Spanjë e kanë trajtuar realitetin drejtpërdrejt, duke përfshirë promovimin e idesë së 'riatdhesimit', kthimin e azilkërkuesve të dështuar dhe emigrantëve që nuk janë integruar në vendet e tyre të origjinës si një masë për të reduktuar krimin dhe për të ruajtur kohezionin shoqëror.
Në vende si Franca dhe Belgjika, ku emigracioni ka arritur nivele historike, shqetësimet për sigurinë janë bërë një çështje kryesore në fushatat zgjedhore. Madje edhe Emmanuel Macronka bërë thirrje për ashpërsimin e politikës franceze të emigracionit, ndonëse vetëm si një taktikë politike për të ndalur rënien e tij në sondazhe përballë rritjes së madhe të Rassemblement National të Marine Le Pen.
Pyetja është se sa gjatë partitë tradicionale do të jenë në gjendje të mbajnë të paprekura barrierat e tyre ndaj forcave politike që janë të gatshme të trajtojnë realitetin që përjetojnë votuesit. / European Conservative - Syri.net
© SYRI.net