Masat e qeverisë Kurti nuk ua ndryshojnë jetën studentëve kosovarë: Ersari dhe Albulena

Masat e qeverisë Kurti nuk ua ndryshojnë jetën studentëve kosovarë: Ersari dhe Albulena

10:36, 13/12/2021
A+ Aa A-

Të rritesh në moshë, nënkupton të rritesh edhe në përgjegjësi. Krejt kjo rritje, vërehet në momentin kur hyn në moshën e pjekurisë, periudhën ku jeta ndryshon, të mëson e të jep eksperienca të reja. Një nga këto eksperienca, është jeta studentore, sidomos zhvendosja nga qyteti i lindjes, për në Prishtinë, ku forma e jetesës për shumëkë mund të jetë shumë më ndryshe se sa nga ajo që janë mësuar.

Se si janë ambientuar me ‘stilin’ e ri të vazhdimësisë së tyre, për Syri.net Kosova kanë folur dy studentë të Universitetit të Prishtinës. Ngatërrimi i rrugëve dhe objekteve, apo, problemet financiare, janë vetëm disa nga problemet e këtyre studentëve, që mund t’i lexoni më poshtë

Nga Erdonit Hoxha, SYRI KOSOVA.

Regjistrimi në fakultet dhe vendimi për të jetuar larg familjes, shoqërisë, e rrethit ku krijohen shumë histori dhe kujtime, mund të jetë vendim i rëndë psikik për shumë të rinj.

Zhvendosja në një qytet më të madh, ku nuk e njeh thuajse askënd, pastaj, marrja e përgjegjësive të vogla, siç mund të jetë edhe pagesa e faturave, për shumë të rinj që në moshën 18 vjeçare mund të ndihen të sigurt e të pavarur, prapë se prapë për ta mund të rezultojë si një ‘mal’ të rënë mbi kokë, pasi, nuk janë mësuar shumë që të përballen me situata të ngjashme.

Krahas kësaj, edhe problemet financiare shpesh dinë të kenë ndikim e të luajnë një rol të madh në psikiken e studentëve. Po ashtu, vlen të theksohet fakti që jo të gjithë kanë fatin të jetojnë në konvikte, e ata që paguajnë banesa me qira, e kanë akoma më të vështirë.

Kështu të paktën mendon Albulena Gega, studente e UP-së. Në një prononcim për Syri.net Kosova, ajo tha se duhet një organizim i mirë mes miqve që jetojnë së bashku, në mënyrë që shpenzimet të jenë të përballueshme.

“Të jetosh në Prishtinë vështirësitë varen pak a shumë prej pjesës se ku ti zgjedh të qëndrosh. Unë mendoj që studentët që jetojnë në konvikte pak a shumë e kanë më të lehtë. Mirëpo, në qoftë se banoni më shumë se dy persona kuptohet që është afërsisht e njëjtë, madje, mendoj që është një kosto e përballueshme” tha ajo.

E pyetur se po ia vështirëson jetesën në kryeqytet rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, Albulena tha se për momentin nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim të madh, por, që është pjesa familjare që e vërejnë më shumë, se sa studentët.

Studentja ka folur edhe për idenë e mospageses së studimeve në UP, por, pagesën e provimeve në rast se studentët hyjnë në një provim për herë të tretë dhe këtë ide e quajti të panevojshme për ta praktikuar. “Mendoj që gabim është, sepse edhe pse është një shumë simbolike dhe e vogël prapë është e panevojshme” theksoi studentja.

Si për Albulenën, ardhja në Prishtinë ka qenë interesante edhe për Ersar Imerin. Të dy studentët për Syri.net Kosova kanë treguar se kur erdhën në kryeqytet, nga vendet ku jetuan në Pejë e Vushtrri, u përballen me ngatërrim të emrave të rrugëve, ngatërrimin e objekteve apo, ndoshta shpeshherë e kanë humbur edhe rrugën.

Po ashtu, Ersari për Syri.net Kosova tregoi se ai banon me qira në Prishtinë, por, jeton me shokët e tij, prandaj, shpenzimet nuk i ka shumë të mëdha dhe të përballueshme për të. E, rritja e çmimeve për të, ka rezultuar me rënie të kursimeve.

“Jeta nuk është vështirsu, por vetëm kursimet kanë ra” tha Imeri.

Edhe Ersarin, nuk ka shumë dallim nëse studentët paguajnë një euro nëse hyjnë në të njëjtin provim për here të tretë, madje, ai tha se në një provim duhet hyrë vetëm dy herë. “Maksimumi që duhet t’i nënshtrohesh një provimi është dy here, të tretën nuk e kisha lejuar, kështu që pagesa është masë e lehtë!” tha ai.

Studentët në Kosovë përpos që përballen me probleme financiare e me shumë stres për të mësuar, gjithashtu përballen edhe me shumë padrejtësi që mund t’iu bëhen në drejtimet ku studiojnë.

Nëpër vendet ku rrinë, studentët shpesh janë ankuar për mosvlerësim të duhur nga ana e profesorëve, të cilët sipas tyre, kanë përdorur inatet personale, kur kanë notuar studentët e tyre. Sidoqoftë, shumë prej studentëve shqiptarë, krahas vështirësive, po ia dalin të jenë të suksesshëm në jetë, duke vazhduar studimet edhe jashtë vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco