k

Mjekja Dollenberg: I ftohti dhe gripi, kombinimi vrasës, varianti K i gripit po shumëfishon infarktet

09:42, 21/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një situatë ku virozat dhe gripi sezonal kanë mbërthyer vendin, mjekët ngrenë alarmin për një rrezik të shtuar që vjen nga mutacionet e reja të virusit në kombinim me temperaturat e ulëta.

E ftuar në emisionin KAFE SHQETO në SYRI TV mjekja Aurora Dolenberg, shpjegoi se si varianti i ri, i cilësuar si "Varianti K" (që përmbledh nënvariantet AH3N1, AH3N2, AH1N1), po shfaq agresivitet të lartë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për komplikacione kardiake fatale.

Sipas mjekes Aurora Dollenberg, ky variant i gripit, i cili fillimisht u përhap gjerësisht në SHBA dhe tani dominon edhe në Europë, është përgjegjës për një rritje drastike të rasteve të infarktit. Të dhënat tregojnë se varianti K rrit rrezikun e atakut kardiak deri në 5 herë, ndërsa edhe një grip i lehtë mund ta dyfishojë këtë rrezik tek personat mbi 50 vjeç.

Kulmi i kësaj situate problematike po përjetohet pikërisht tani, në mesin e janarit dhe fillimin e shkurtit. Mjekja shpjegoi mekanizmin fiziologjik që çon në këtë kolaps: gjendja e inflamacionit nga gripi, e kombinuar me të ftohtin, e detyron zemrën të punojë dy deri në tre herë më fort për të pompuar gjak dhe oksigjen. Për personat me enë gjaku të ngushtuara ose probleme ekzistuese, ky mbingarkim, së bashku me "shokun" e adrenalinës që shkakton dalja e menjëhershme në temperatura të ulëta, mund të çojë në bllokim fatal. 

Aurora Dollenberg:

Gripi drejtpërdrejt nuk mund të vrasi pa pasur një ndërmjetësim të urgjencave siç është infarkti i zemrës apo goditjet, insultet cerebrale. Prandaj gjithmonë kur themi, sidomos për këtë variantin e fundit, variantin K po e përmbledh me atë emrin e përbashkët të të gjitha varianteve që ti i listove Flavio, quhet varianti K, i fundit ai i gripit i cili ka filluar në Amerikë, ku më shumë se 90% të rasteve janë prej variantit K kur kanë infeksion gripal.

Dhe tanimë edhe në Europë, më shumë se gjysma kanë variantin më të fundit të gripit, i cili shënon datat më të larta kur bëhet fjalë për hospitalizim, pra për shtrime në spital ose për mortalitet më të lartë dhe për një infektueshmëri më të lartë. Pra përhapet shumëfish më shpejt sesa variantet që kemi njohur deri tani të influencës ose të gripit. Kjo patjetër ndodh nga fakti që në vitet e fundit ne jemi vaksinuar, jemi imunizuar në mënyrë të natyrshme ndaj koronës dhe shumë formave të tjera të viruseve, por jo ndaj gripit.

Prandaj dhe gripi momentalisht dominon në mënyrë të dukshme dhe është në vend të parë, pastaj vijnë korona dhe pastaj vijnë variantet e infeksioneve respiratore që quajmë viruse të ndryshme. Pra, varianti K i gripit vret më shumë pikërisht sepse shkakton më shumë infarkte zemre dhe urgjenca të tjera. Dhe e kombinuar, dihet që kulmi i gripit është gjithmonë në dimër. Tani mesi i janarit, fillimi i shkurtit janë, shënohet shifrat më të larta që kemi pasur deri tani nëpër urgjenca. Kështu që kombinimi grip-dimër, ndonjëherë dhe moshat vulnerabël, pra mbi 50 vjeç e sipër, të gjitha bëjnë që të rritet në mënyrë të dukshme... madje shifrat e deritanishme tregojnë që varianti K i gripit e ka rritur deri në 5 fish më shumë infarktet e zemrës. Madje vihet re që edhe një grip i lehtë e rrit deri në dyfish më shumë infartin e zemrës te personat që janë mbi 50 vjeç.

Patjetër, patjetër që gripin nuk mund ta evitojmë dot 100%, por ne mund të forcojmë sistemin tonë imunitar. Pra sikundër e tregoi dhe doktoreshë Engjëllushe, gripi e ndryshon pak trupin, fiziologjinë e trupit tonë. Pra në dimër e kombinuar dhe me gripin kemi një gjendje inflamacioni që e quajmë. Pra është një gjendje infeksioni ku trupi fillon që të prodhojë antitrupa, të mbrohet ndaj infeksionit. Pra edhe zemra sikundër dhe muskujt e tjerë, të gjithë ne e njohim që kur kemi gripin kemi na dhëmb gjithë trupi. Kjo është një simptomë më se e zakonshme e gripit. Por zemra është edhe ajo një muskul. Pra edhe muskuli i zemrës në gjendje gripale dhe me temperatura të larta, ka një tkurrje më të shpeshtë, më të madhe, duke rritur jo vetëm në njërën anë nevojën e zemrës për oksigjen, për gjak, pra në dimër dhe në gjendje infeksioni, pra kombinimi i dy faktorëve të rrezikut, zemra kërkon siç e tha dhe doktoreshë Engjëllushe deri në dyfish, trefish më shumë gjak sesa zakonisht.

Kjo bën që në një person që mund të ketë dëmtime paraprake të zemrës, ose enë të ngushtuara të gjakut, në momentin që zemra papritur nga i ftohti kërkon dyfish gjak më shumë ose trefish, automatikisht ne e vendosim zemrën në një situatë shumë kritike me një nënfurnizim të gjakut dhe kjo me fjalë të tjera nënkupton gjithmonë infarkt. Prandaj dhe tani në dimër kryesorja është që të mbrohemi nga i ftohti i papritur.

Pra një person që është dhe mbi 50 vjeç sidomos, që mund të ketë probleme kardiake, merr tableta për tensionin e lartë ose për zemrën dhe del nga ambienti i ngrohtë menjëherë në të ftohtë, në temperaturat afër zeros, automatikisht zemra e tij pëson një tip shoku mund ta quajmë, shokun e të ftohtit. Prodhohet kaq shumë adrenalinë nga i ftohti saqë enët e gjakut të zemrës ngushtohen dhe rriskojnë patjetër për infarkt zemre. Prandaj mbrohemi nga i ftohti, marrim medikamentet patjetër rregullisht dhe tensioni i gjakut na mbetet normal. Të mbrohemi nga trombozat sepse dimri e rrit piksjen e gjakut. Pra atë që themi në gjuhën popullore trashet gjaku në dimër. Prandaj një gjysëm kokrre aspirinë deri në një kokërr në varësi të sëmundjeve ose jo sëmundjeve kardiake që ka pacienti, edhe kjo na mbron nga trombozat dhe nga bllokimet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco