Studim: Infektimi me Covid-19 mund të ndikojë në sjelljen e pasardhësve përmes trashëgimisë epigjenetike

Studim: Infektimi me Covid-19 mund të ndikojë në sjelljen e pasardhësve përmes trashëgimisë epigjenetike

08:31, 17/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një studim i ri i publikuar në revistën Nature Communications ka zbuluar se infeksioni me virusin që shkakton Covid-19 mund të shkaktojë ndryshime në lëngun seminal të meshkujve, të cilat mund të ndikojnë në zhvillimin e trurit dhe sjelljen e pasardhësve të tyre.

Sipas studiuesve nga Instituti “Florey” i Neuroshkencës dhe Shëndetit Mendor në Melbourne të Australisë, minjtë meshkuj të infektuar me virusin SARS-CoV-2 u çiftëzuan me femra të shëndetshme, dhe pasardhësit e tyre u analizuan për ndryshime në sjellje dhe strukturë gjenetike.

“Ne zbuluam se pasardhësit e baballarëve të infektuar treguan sjellje më shqetësuese krahasuar me ata të baballarëve të painfektuar,” tha autorja e parë e studimit, Elizabeth Kliman.

Rezultatet treguan se sidomos pasardhëset femra kishin “ndryshime të dukshme” në aktivitetin e gjeneve të lidhura me hipokampusin, pjesa e trurit që kontrollon emocionet dhe sjelljet. Këto ndryshime mund të jenë pasojë e trashëgimisë epigjenetike, pra mënyrës si mjedisi apo sëmundjet ndikojnë në aktivizimin ose çaktivizimin e gjeneve pa ndryshuar ADN-në vetë.

“Kjo mund të kontribuojë në rritjen e ankthit që vërejtëm tek pasardhësit,” shtoi bashkautorja e studimit, Caroline Gubert.

Studimi është i pari i këtij lloji që demonstron se një infeksion viral si Covid-19 mund të ketë efekte afatgjata ndërbreznore. Studiuesit zbuluan se virusi ndryshon disa molekula ARN-je në spermë, të përfshira në rregullimin e gjeneve kyçe për zhvillimin e trurit.

“Nëse këto gjetje konfirmohen edhe tek njerëzit, ndikimi mund të jetë i gjerë, duke prekur potencialisht miliona fëmijë në mbarë botën,” tha udhëheqësi i kërkimit, prof. Anthony Hannan. “Kjo do të kishte pasoja të rëndësishme për shëndetin publik global.”

Pandemia e Covid-19, e cila shpërtheu në fillim të vitit 2020, ka shkaktuar mbi 7 milionë vdekje në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, megjithëse shifrat reale mund të jenë më të larta. Përveç ndikimit fizik, pandemia ka lënë pasoja të thella në shëndetin mendor, veçanërisht tek të rinjtë dhe fëmijët, të cilët përjetuan izolim dhe ndërprerje të gjatë të arsimit.

Një përmbledhje e rreth 40 studimeve në 15 vende, e botuar në Nature Human Behaviour në vitin 2023, tregoi se fëmijët ende nuk kanë arritur të rikuperojnë boshllëqet në të nxënë të shkaktuara nga pandemia — duke theksuar edhe më shumë ndikimin e saj afatgjatë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco