Kakaoja, e njohur që nga koha e majave dhe aztekëve si “ushqimi i perëndive”, po rikthehet në qendër të vëmendjes shkencore. Këtë herë, jo si përbërës në ëmbëlsira apo pije të nxehta, por si një armë e re në luftën kundër plakjes.
Një studim i njohur si COSMOS, ka zbuluar se ekstrakti i kakaos i pasur me flavanole mund të reduktojë ndjeshëm inflamacionin kronik – një nga faktorët kryesorë që nxit sëmundje të shumta të lidhura me plakjen, si problemet kardiovaskulare, diabeti i tipit 2 dhe demenca, raporton Net.hr.
Shkencëtarët theksojnë se plakja inflamatore është një “kërcënim i padukshëm” që prek sistemin imunitar me kalimin e viteve. Ndërsa ky inflamacion nuk shkakton dhimbje të dukshme, ai dëmton organizmin në heshtje. Pikërisht këtu hyn në lojë kakaoja, e cila përmban polifenole dhe flavanole me veti të fuqishme antioksiduese dhe anti-inflamatore.
Studimi COSMOS, që përfshiu mbi 21 mijë persona mbi 60 vjeç, tregoi se pjesëmarrësit që konsumuan 500 mg ekstrakt kakaoje çdo ditë përjetuan një ulje të ndjeshme të proteinës C-reaktive (hsCRP) – një shënues kyç i inflamacionit. Ky efekt lidhet drejtpërdrejt me uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe me një reduktim prej 27% të vdekshmërisë kardiovaskulare.
Përveç kësaj, kakaoja ndihmon edhe në përmirësimin e funksioneve njohëse, rregullimin e presionit të gjakut dhe mbrojtjen e qelizave nga plakja oksidative. Megjithatë, ekspertët theksojnë se jo çdo çokollatë është e dobishme: shumë produkte të përpunuara përmbajnë sheqer dhe yndyra që neutralizojnë efektet pozitive të flavanoleve.
“Ky studim na kujton rëndësinë e ushqimeve me bazë bimore dhe të produkteve natyrore të kakaos në ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe të trurit,” – tha Howard Sesso, epidemiolog në Spitalin Brigham and Women’s.
Rekomandohet një dietë e pasur me fruta, perime, manaferrat, çaj jeshil dhe kakao të pastër, që së bashku kontribuojnë në një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.
© SYRI.net