Vaji i susamit mund të jetë një aleat i madh për shëndetin: disa studime kanë analizuar veçoritë e tij në fusha të ndryshme, nga zemra te truri e deri te niveli i sheqerit në gjak. Susami është i pasur me përbërës bioaktivë, përfshirë lignanet, të cilave u atribuohen shumë veti të dobishme për shëndetin. Studime të ndryshme kanë treguar se këta përbërës bioaktivë të pranishëm në vajin e susamit kanë efekte mbrojtëse në zemër, veshka, mëlçi dhe organe të tjera, përveçse ushtrojnë një veprim të rëndësishëm anti-inflamator. Ja cilat janë të gjitha përfitimet e vajit të susamit.
Siç u përmend, farat e susamit përmbajnë lignane, ndër to sesaminën, një modulator të fuqishëm kardiometabolik. Studime të shumta, veçanërisht një i botuar në revistën Nutrients në vitin 2022, kanë treguar se sesamina është në gjendje të ulë tensionin e gjakut, gjithashtu përshpejton konvertimin e kolesterolit duke ulur nivelin e LDL-së (kolesteroli “i keq”) dhe duke rritur kolesterolin e mirë HDL, duke parandaluar kështu inflamacionin vaskular dhe formimin e pllakave aterosklerotike. Vaji i susamit, pra, ndihmon në mbrojtjen e zemrës dhe ul kolesterolin e keq.

I njëjti studim i Nutrients i vitit 2022 ka analizuar edhe efektet e mundshme pozitive të vajit të susamit në diabet: një eksperiment i parë mbi minjtë dalloi dy grupe. Ata që nuk u trajtuan me vaj susami kishin një nivel mesatar të sheqerit në gjak esëll prej 298 mg/dL, ndërsa ata që kishin marrë vaj susami e ulën nivelin deri në 202 mg/dL. Për më tepër, një studim i vitit 2016 i kryer mbi pacientë me diabet të tipit 2 kishte konstatuar gjithashtu një ulje të glicemisë esëll, si dhe një rënie të triglicerideve dhe kolesterolit LDL.
Sesamina dhe metabolitët e saj eliminojnë radikalet e oksigjenit (ROS), molekula të cilat, kur janë në tepricë, mund të dëmtojnë molekula të tjera dhe sidomos të rrisin stresin oksidativ. Vaji i susamit, pra, ka një fuqi të rëndësishme antioksiduese dhe anti-inflamatore.

Vaji i susamit mund të jetë i dobishëm edhe për shëndetin e mëlçisë dhe të veshkave. Disa studime kanë treguar efektet mbrojtëse të sesaminës te pacientët që vuanin nga fibroza hepatike, pasi ndihmon në normalizimin e disa treguesve klinikë si transaminazat ALT dhe AST. Përveç kësaj, sesamina ndihmon në ekuilibrimin e vlerave të azotit ureik dhe kreatininës, të cilat rriten kur veshkat nuk janë në gjendje të mirë.
Vaji i susamit, gjithmonë nëpërmjet sesaminës, mund të ndihmojë gjithashtu në reduktimin e dëmeve oksidative të lidhura me isheminë cerebrale dhe Alzheimerin. Sesamina ndihmon në ruajtjen e proteinave BLC-2, të cilat pengojnë vetëshkatërrimin e qelizave dhe kufizon aktivitetin e kaspazave, enzimave që nxisin vdekjen e qelizave. Për më tepër, sesamina ul veprimin e proteinës JNK, e cila në kushte stresi mund të përkeqësojë inflamacionin dhe të çojë në vdekjen e neuroneve.

Vaji i susamit përdoret edhe për lëkurën falë vetive të tij zbutëse, antioksiduese dhe anti-inflamatore: lignanet e pranishme në farat e susamit përshpejtojnë shërimin e plagëve, parandalojnë skuqjet dhe reduktojnë humbjen e kolagjenit. Sesamoli, një përbërës organik i pranishëm në vajin e susamit, ndihmon në ruajtjen e integritetit të barrierës së lëkurës, duke reduktuar humbjen e ujit përmes saj dhe duke parandaluar irritimin, tharjen dhe plasaritjen. Përveç kësaj, mbron edhe nga rrezet ultraviolet të diellit.
Në disa raste do të ishte më mirë të mos konsumohej susam apo produktet e tij si vaji. Sigurisht, në rast alergjie duhet shmangur plotësisht, por edhe ata që vuajnë nga çrregullime të tretjes duhet ta konsumojnë me moderim. Gjithashtu, një konsum i tepruar mund të rrisë humbjen e mineraleve dhe të favorizojë gjakderdhjen tek individët e ndjeshëm. Së fundi, ata që vuajnë nga hipotensioni ose marrin antikoagulantë duhet të konsultohen me mjekun përpara se të përfshijnë susamin në dietën e tyre.

© SYRI.net