Është më mirë hidromasazhi apo sauna? Përgjigjen e jep ky studim i ri

Është më mirë hidromasazhi apo sauna? Përgjigjen e jep ky studim i ri

12:49, 18/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Përfitimet nga sauna dhe hidromasazhi njihen prej kohësh, por cili nga të dy është më i mirë për shëndetin? Sipas një studimi të Universitetit të Oregonit (SHBA), zhytja në një vaskë me hidromasazh jo vetëm që është kënaqësi për shqisat, por mund të jetë edhe më e dobishme për shëndetin sesa një seancë në sauna.

Studiuesit nga Bowerman Sports Science Center përfshinë 20 sportistë të rinj – 10 meshkuj dhe 10 femra, të moshës midis 20 dhe 28 vjeç – duke i ekspozuar ndaj tri trajtimeve të ndryshme termike: sauna tradicionale me nxehtësi të thatë, sauna me infra të kuqe dhe hidromasazh me ujë të nxehtë. Gjatë eksperimentit u matën temperatura trupore, presioni i gjakut, rrahjet e zemrës, qarkullimi i gjakut, qelizat imunitare dhe biomarkuesit e inflamacionit në gjak.

Rezultatet favorizuan ndjeshëm hidromasazhin. “Pamë se zhytja në ujë të nxehtë ka ndikimin më të madh në rritjen e temperaturës së brendshme të trupit,” shpjegoi Jessica Atencio, autorja e studimit të publikuar në American Journal of Physiology. “Kjo rritje përmirëson ndjeshëm qarkullimin e gjakut, duke sjellë përfitime të mëdha për shëndetin vaskular.”

Image

Pse uji është më efektiv se sauna? Sepse përçimi i nxehtësisë në ujë është shumë më efikas. “Trupi nuk arrin ta shpërndajë nxehtësinë me po atë lehtësi si kur është në kontakt me ajrin. Kjo bën që temperatura e trupit të rritet më shpejt kur je në ujë, dhe mekanizmat e djersitjes nuk funksionojnë njësoj,” shton ajo.

Për më tepër, efektet pozitive të hidromasazhit vazhdojnë edhe pasi del nga uji. “Terapia me nxehtësi përmirëson gjendjen e përgjithshme të shëndetit, për sa kohë praktikohet me maturi,” thekson Christopher Minson, studiues që ka mbi 20 vjet që analizon ndikimin e nxehtësisë në trupin e njeriut.

Hidromasazhi ndihmon edhe ata që nuk ushtrohen. Edhe pse vetëm aktiviteti fizik ofron përfitime të ngjashme (nëse jo më të mëdha), hidromasazhi ka avantazhin që mund të ndihmojë edhe personat që nuk janë në gjendje ose nuk kanë dëshirë të ushtrohen. Këshilla e vetme: “Bëjeni me kujdes dhe konsultohuni me mjekun para se të filloni këtë lloj terapie, njësoj si me ushtrimet në palestër,” përfundon Minson.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco