Studentët e Tiranës frymëzojnë rajonin, ja ku ka ‘plasur’ revolta studentore

Studentët e Tiranës frymëzojnë rajonin, ja ku ka ‘plasur’ revolta studentore

13:14, 18/12/2018

Me moton “#MeStudentët”, sot po protestojnë studentët shqiptarë të Maqedonisë.

Protesta në Sheshin “Iliria” në Tetovë filloi në orën 12:30.

Siç njoftojnë nga grupi i organizatorëve, protesta ka ardhur si mbështetje e protestës së Shqipërisë, por kërkesat kanë dalë nga gjendja e arsimit të lartë në Maqedoni. Ata iu drejtohen ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, universiteteve shqiptare në Maqedoni dhe kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev.

“Ju mundoheni të na ndaloni, neve na janë ndezur motorët për drejtësi”, thonë nga organizatorët e protestës.

Kërkesat janë siç vijojnë më poshtë:

1. Subvencionimi ose largimi i pagesës së praktikës dymujore nga Universiteti i Tetovës në vlerë prej 50 euro.
* Zvogëlimi i tarifës për studentët e huaj për 50%.
* Largimi i pagesës prej 100€ për çregjistrim nga universiteti.

2. Të financohet ekskursioni profesional ose largimi i saj si lëndë obligative.

3. Ndalimi i kushtëzimit me blerje të librave për nënshkrim nga ana e profesorëve të caktuar.

4. Furnizimi dhe renovimi i sallave, laboratorëve dhe mjeteve tjera të domosdoshme për studentët.

5. Publikimi i statutit të Universitetit të Tetovës dhe raport-vlerësimi i evoluimit të studentëve që bëjnë për profesorët të jetë në faqen e universiteteve.

6. Statuti i Parlamentit Studentor të jetë në faqen e universitetit. Parlamenti studentor të jetë i pavarur nga rektori dhe partia politike.

7. Largimin e profesorëve të denoncuar për kryerje të ndonjë vepre penale brenda institucioneve arsimore.

8. Rishikimi i titujve akademik dhe verifikimi i plagjiaturave. A është respektuar ligji, koha për kalim prej një titull në tjetër dhe punimet shkencore?

9. Ndalimi i diskriminimit të femrave dhe kushtëzimi i tyre me akte të turpshme në këmbim note.

10. Kërkojmë nga Revizioni Shtetëror, Komisioni për Antikorrupsion, Inspektorati i Arsimit dhe Policia Financiare që të hetojnë çdo shpenzim të buxhetit të universiteteve që plotësohet nga studentët dhe taksapaguesit.

11. Kuadri universitar të marrë mbi vete ndryshimin e plan programeve mësimore, diskriminuese, në të gjitha nivelet e arsimit shqip.

12. T’u ndërpritet ndikimi i emërimit të mësimdhënësve nga partitë politike.

13. Kërkojmë urgjentisht të çlirohen universitetet nga nepotizmi i skajshëm. Në vend të familjarëve, të punësohen profesorë të kualifikuar që do punojnë për interesin e studentëve, e jo për qëllime personale-familjare.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco