Serbia ortodokse, partneri i Erdogan, nga prezenca e Gylen në vendet e tjera…

Serbia ortodokse, partneri i Erdogan, nga prezenca e Gylen në vendet e tjera…

17:52, 08/05/2018
A+ Aa A-

Portali Euroazia Future jep informacionin mbi vizitën e Vuçiç në Stamboll dhe të takimit të tij me Erdogan, duke analizuar jo vetëm marrëdhëniet Serbi-Turqi por edhe marrëdhëniet e Turqisë me vendet e BP dhe rolin/ndikimin e Turqisë në BP. Duke shpjeguar ndërkohë përse Erdogan preferon të ketë marrëdhënie partneriteti me Serbinë ortodokse, ndërkohë që vendet e tjera me shumicë myslimane, Shqipëria dhe Bosnja i kanë hapur dyert organizatës FETO që edhe Vuçiç edhe Erdogan e cilësojnë si “terroriste”.

Presidenti serb Vuçiç në takimin me Erdogan ka deklaruar se “Ne kemi ngushtuar hendekun e marrëdhënieve mes dy vendeve në sajë të përpjekjeve të Erdogan dhe në sajë të politikës pajtuese kemi ndërtuar urat e miqësisë”. Kësaj deklarate të Vuçiç i është përgjigjur Kryetari i Parlamentit turk Kahraman: Ne kemi realisht marrëdhënie miqësore mes nesh”.

Më tej në shkrim bëhet një analizë e rolit të Turqisë në BP.

Ndërkohë që marrëdhëniet e Presidentit Erdogan me Bosnje-Hercegovinën mbeten pozitive, marrëdhëniet e tij me shumicën myslimane të BP vazhdojnë të përkeqësohen, kryesisht për shkak të prezencës së FETO në këto vende. Sepse FETO, sipas vlerësimeve të Erdogan është një organizatë terroriste, përgjegjëse për grushtin e shtetit në vitin 2016, dhe kjo nuk nuk është një çështje e vogël për Erdogan. Duke pasur parasysh këtë fakt, ndërkohë që veprimtaria e FETO zvarritet edhe në Shqipëri, edhe në Bosnje, Turqia së shpejti mund të arrijë në përfundimin se partnerja e saj më e besueshme në BP mund të ishte Serbia Ortodokse. Për më tepër që edhe Shqipëria ka refuzuar për vite të tëra kërkesat e Ankarasë për të ekstraduar anëtarë të njohur të FETO, duke refuzuar ndërkohë të rrëzojë aktivitetin e FETO në tokën e saj.

Më tej analisti bën një krahasim të çuditshëm për marrëdhëniet e Gylen me Shqipërinë: “Ashtu si al-Kaeda dikur e pagoi regjimin afgan që të merrte tokën afgane si bazë operacionesh, po kështu edhe organizata terroriste e Gulenit bën të njëjtën gjë me Shqipërinë, një nga shtetet më të varfra të Evropës. Kjo është bërë edhe më e dukshme kur ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhacka kohët e fundit e quajti Turqinë si një kërcënim potencial për Shqipërinë në thirrjen e saj për të bërë që SHBA të ndërtojë një bazë në tokën shqiptare…”

Fakti që Turqia dhe Serbia kanë armik të përbashkët terrorizmin është e natyrshme që të dy vendet të koordinojnë masat për rritjen e stabilitetit dhe të sigurisë. Për këtë arsye, Ankaraja dhe Beogradi ka shumë gjasa të fillojnë të rrisin bashkëpunimin e tyre në fushën e sigurisë. Në këtë kontekst nuk është për t’u habitur që Vuçiç deklaron se ‘Unë do të doja të falënderoja Presidentin Erdogan për stabilizimin e Ballkanit’.

Ndërkohë që Erdogan i përgjigjet Vuçiç duke sulmuar vendet perëndimore për rolin e tyre destabilizues në Ballkan: ‘Perëndimi nuk mund të pengojë prezencën e Turqisë në Ballkan, si dhe të hapave, nismave e përpjekjeve që Turqia merr në rajon. Pavarësisht pengesave që na vijnë nga perëndimi, ne do të bëjmë gjithçka mundemi në Ballkan’.

Më tej analisti shton: “Përkundër një historie të konfrontimit në të shkuarën, Turqia moderne dhe Serbia moderne po përshtaten me realitetet e reja të shekullit 21, ku interesat e të dy vendeve janë të lidhura për shkak të gjeografisë dhe interesave më të gjera gjeopolitike ekonomike. Në të njëjtën kohë, si Ankaraja ashtu edhe Beogradi kanë kuptuar se armiku i tyre i përbashkët nuk është njëri-tjetri, por ata faktorë që nxisin praninë e grupeve të rrezikshme terroriste si FETO në BP, me synimin për të mbjellë mosmarrëveshje midis shteteve të qëndrueshme të rajonit…”

Sipas autorit, takimi Vuçiç-Erdogan “konfirmon jo vetëm se të dy vendet janë pajtuar me njëri-tjetrin në një epokë ku zhvillimet pozitive gjeopolitike përcaktohen nga modeli uin-uin i Presidentit kinez Xi Jinping, por ky takim afirmon gjithashtu faktin se çështjet e sigurisë shkojnë përtej vëllazërisë fetare, siç po ndodh aktualisht në marrëdhëniet mes shumicës ortodokse serbe që do të bëhet së shpejt partneri më i rëndësishëm i Turqisë në Ballkan sepse vendet e tjera të BP me shumicë myslimane ja kanë dorëzuar FETO-s vendin e tyre.

Syri.net/ 8 maj 2018


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco