Nga Luçiano Boçi
Raporti i fundit i OSAC, strukturës së Departamentit Amerikan të Shtetit, është një raport tronditës dhe jo vetëm dokument konfirmues i shqetësimeve opozitare e as një deklaratë politike, apo parashtrim mediatik.
Mos harrojmë se është vlerësimi zyrtar i aleatit më të rëndësishëm të Shqipërisë për gjendjen e sigurisë, të shtetit ligjor dhe të klimës së investimeve në vend. Pikërisht për këtë arsye ai nuk mund të relativizohet, të shpërfillet apo të mbulohet me propagandë.
Mesazhi i raportit është i drejtpërdrejtë e paekuivok.
Shqipëria vazhdon të vuajë nga kultura e pandëshkueshmërisë.
Kjo është fjalia më e rëndë e të gjithë dokumentit. Sepse pandëshkueshmëria nuk është vetëm një problem i drejtësisë. Ajo është prova se shteti nuk funksionon në mënyrë të barabartë për të gjithë, pse korrupsioni mbijeton, pse krimi organizohet, pse administrata deformohet dhe pse qytetarët humbasin besimin tek institucionet.
Raporti ndonëse me politesë njeh punën e SPAK-ut dhe progresin e tij që nga krijimi ve alarmin se ky progres nuk mjafton. Sipas tij shumë individë me pushtet politik, ekonomik dhe administrativ vazhdojnë t’i shmangen përgjegjësisë penale.
Ligji ekziston, por nuk arrin gjithmonë tek ata që kanë më shumë pushtet. Kjo sipas brendisë së raportit nuk është reformë e përfunduar, por reformë e papërmbushur.
Po aq domethënës është fakti që raporti ndalet tek protestat për Sazanin.
Në të theksohet se ai nuk ishte thjesht një debat për një projekt turistik. Ishte shndërrimi i një konflikti mjedisor në një revoltë të gjerë kundër korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes.
Edhe më shqetësuese është mënyra si përshkruhet reagimi shtetëror. Në vend që tensioni të ulej përmes dialogut dhe respektimit të së drejtës për protestë, pati raste kur ndërhyrja policore e përshkallëzoi situatën.
Një shtet demokratik nuk mat forcën me numrin e efektivëve që nxjerr në rrugë, por me aftësinë për të dëgjuar qytetarët para se konflikti të shpërthejë.
Raporti bëhet edhe më i ashpër kur flet për krimin e organizuar.
Rritja e kriminalitetit, aktiviteti i grupeve kriminale në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe korrupsionin, si edhe fakti se armë e eksplozivë të paligjshëm që qarkullojnë në
Evropë kanë origjinë ose kalojnë transit nga Shqipëria, nuk janë statistika pa rëndësi. Janë tregues të një shteti që ende nuk ka arritur të vendosë kontroll të plotë mbi territorin, ekonominë dhe institucionet e veta.
E kjo nuk dëmton vetëm sigurinë. Dëmton ekonominë.
Raporti e thotë qartë se korrupsioni, mungesa e transparencës në prokurimet publike, dobësitë e sistemit gjyqësor dhe pasiguria juridike pengojnë investimet e huaja.
Investitorët nuk investojnë mbi premtime. Ata investojnë mbi besimin se kontrata do të respektohet, se konkurrenca do të jetë e ndershme dhe se ligji nuk do të ndryshojë sipas interesave të pushtetit.
Prandaj dëmi i korrupsionit nuk matet vetëm me milionat që vidhen nga buxheti.
Ai matet edhe me miliardat që nuk vijnë kurrë në Shqipëri.
Kush e lexon me vëmendje raportin e OSAC kupton se ai është një diagnozë e shtetit e qeverisë shqiptare.
Dhe diagnoza është e qartë. Problemi nuk është mungesa e institucioneve. Problemi është mungesa e vullnetit politik për t’i lënë ato të funksionojnë deri në fund. Problemi nuk është mungesa e ligjeve. Problemi është zbatimi selektiv i tyre. Problemi nuk është mungesa e reformave. Problemi është përdorimi i reformave si fasadë, ndërsa kultura e pandëshkueshmërisë mbetet pothuajse e paprekur.
Problemi nuk është qytetari e as opozita. Problemi është Rama.
Raporti i OSAC nuk është vetëm një kambanë alarmi.
© SYRI.net