Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një reagim në rrjetet e tij sociale është shprehur se qeveria shqiptare po rrezikon zbatimin e marrëveshjes së mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkelur, sipas tij, detyrimet kushtetuese për ratifikimin dhe publikimin e saj.
Bardhi ka akuzuar mazhorancën se ka shkelur procedurat parlamentare dhe se mbajtja e marrëveshjes jashtë publikimit në Fletoren Zyrtare bie ndesh me Kushtetutën. Ai theksoi se, një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj nuk mund të jetë sekrete dhe duhet të publikohet e plotë për të prodhuar efekte juridike.
Gjithashtu ai ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e veprimit të qeverisë, duke kërkuar transparencë dhe duke theksuar se publikimi i marrëveshjes në Fletoren Zyrtare është një detyrim kushtetues dhe jo një procedurë formale.
Deklarata e plotë:
Qeveria e Shqipërisë po vë në rrezik zbatimin e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo një herë, por dy herë. Në mënyrë flagrante.
Të dy detyrimet që përcakton Kushtetuta për një marrëveshje të tillë ndërkombëtare po shkelen. Në seancën e djeshme plenare u shkel kushti i afatit njëjavor. U shkel cdo procedurë parlamentare kushtetuese për ratifikimin e saj. Tani, me mbajtjen sekret të saj, po shkelet edhe kushti i patjetërsueshëm i botimit në Fletoren Zyrtare.
Është paaftësi për të shkruar si duhet një marrëveshje që të përmbushë kërkesat kushtetuese apo është diçka tjetër, këtë nuk mund ta them sot.
Ajo që mund të them me siguri është se ka një keqinformim të madh lidhur me pretendimin se marrëveshja në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ratifikuar në mënyrë antikushtetuese, qenka sekret.
Do t’ju shpjegoj me pak fjalë pse ky pretendim bie ndesh me parimet kushtetuese.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, asnjë marrëveshje ndërkombëtare që ratifikohet me ligj nuk mund të mbetet sekret.
Pas ratifikimit, marrëveshja duhet të botohet e plotë në Fletoren Zyrtare.
Vetëm pas botimit ajo bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik dhe mund të prodhojë efekte ligjore. Në të kundërt, ajo nuk mund të hyjë në fuqi.
Kushtetuta (neni 122, pika 1) e përcakton qartë se: “Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.”.
Kjo do të thotë se botimi nuk është një formalitet, por një kusht kushtetues për hyrjen në fuqi dhe zbatimin e marrëveshjes. Pa këtë procedurë, marrëveshja nuk mund të prodhojë pasoja juridike për Republikën e Shqipërisë.
Prandaj, lind një pyetje legjitime: kë po përpiqen të mashtrojnë? Deputetët, qytetarët shqiptarë apo partnerin strategjik të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Ajo që është e padiskutueshme në këtë moment është se marrëveshja duhet të botohet e plotë në Fletoren Zyrtare për të fituar fuqi ligjore, në përputhje me kërkesat e Kushtetutës.
© SYRI.net