Pas grumbullimit para Parlamentit, ku po zhvillohet seanca e fundit plenare, protestuesit kanë nisur një marshim të pazakontë në rrugët e Tiranës, pa u bërë i ditur destinacioni përfundimtar i lëvizjes së tyre.
Në një lidhje direkt për Kafe Shqeto në SYRI TV, gazetari Fatjon Gjinaj, raportoi se kolona kaloi fillimisht në bulevardin "Bajram Curri" dhe më pas vijoi në drejtim të Rrugës së Elbasanit, ndërsa organizatorët nuk kanë bërë të ditur itinerarin e plotë.
Në sfond janë dëgjuar vazhdimisht thirrjet ‘Arrestoni Ramën’, ‘Arrestoni Ballukun’, ndërsa qarkullimi i automjeteve në zonat ku ka kaluar protesta është bllokuar përkohësisht.
Raportimi:
Gjinaj: Po lëvizin drejt Bulevardit ‘Bajram Curri’ dhe do shohim se cili do të jetë itinerari. Në fakt është një marshim i paracaktuar kohë më parë, edhe pse në protestat që janë mbajtur më herët tek parlamenti, do shohim se cili do të jetë destinacioni i protestuesve. Ndërkohë që gjatë gjithë rrugës shoqërohen anësorë nga efektivë të Shqiponjave dhe efektivë të Policisë së Shtetit. Do shohim se cili do të jetë itinerari i kësaj lëvizjeje. Me çfarë shohim, kanë hyrë në bulevardin Bajram Curri dhe janë duke lëvizur në drejtim të rrugës së Elbasanit. Pati një ndalesë të vogël tek Ministria e Brendshme, në hyrje të pedonales, por që zgjati vetëm disa minuta dhe më pas marshimi nisi përmes bulevardit.
Qarri: Ndërkohë, ka pasur momente tensioni në këtë shëtitje dorë për dore mes qytetarëve dhe policisë?
Gjinaj: Deri tani jo. Pavarësisht disa rasteve sporadike kur ka patur lëvizje të policisë duke krijuar edhe perimetër që kanë hedhur ndonjë vezë nga ana e protestuesve, por jo diçka për t'u theksuar. Gjithçka deri tani paraqitet e qetë, ndërkohë që thirrjet që po dëgjojmë janë "Arrestoni Ramën", ‘Arrestoni Ballukun’. Është duke vijuar marshimi në drejtim të rrugës së Elbasanit përmes bulevardit Bajram Curri. Drejtuesit e automjeteve përshëndesin qytetarët me boritë e makinave të tyre, të cilat kanë ndaluar dhe është paralizuar lëvizja e lirë e automjeteve për momentin.
© SYRI.net