Qytetarët pritet të mblidhen sërish këtë mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e 55-të të protestës antiqeveritare, duke deklaruar se mobilizimi do të vijojë deri në largimin e qeverisë dhe realizimin e asaj që e cilësojnë si një ndryshim të domosdoshëm politik në vend.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria t’i bashkohen protestës, duke theksuar se presioni ndaj qeverisë nuk do të ndalet. Sipas tyre, protesta është një reagim ndaj korrupsionit, kapjes së institucioneve dhe shpërfilljes së kërkesave të qytetarëve.
Një ditë më parë, protesta u zhvillua fillimisht përpara Kuvendit, ku u shënuan tensione mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit. Protestuesit hodhën vezë në drejtim të automjeteve që transportonin deputetët, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe spraj djegës për të shpërndarë turmën dhe për të krijuar korridor sigurie për hyrjen dhe daljen e parlamentarëve.
Gjatë përplasjeve pati incidente fizike dhe disa protestues u shoqëruan nga policia.
Në mbrëmje, protesta vijoi përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa më pas qytetarët marshuan në rrugët e Tiranës me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e saj.
Organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vazhdojnë çdo ditë, duke theksuar se protesta do të ndalet vetëm kur, sipas tyre, të realizohet ndryshimi politik që kërkojnë.
© SYRI.net