Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi në Kuvend se qytetarët që protestojnë jashtë parlamentit po përballen me dhunë nga policia dhe se mesazhi i tyre është kundër mazhorancës socialiste.
“Sot qytetarët po thërrisnin ‘parlamenti i krimit’, jo me mua apo kolegët tanë, por me mazhorancën socialiste”, tha Tabaku, duke shtuar se ajo ka qenë çdo natë në protestë dhe nuk është sulmuar nga qytetarët.
Tabaku kritikoi edhe reformën territoriale të propozuar nga qeveria, duke e cilësuar të njëanshme dhe të motivuar nga interesa elektorale. Sipas saj, reformat duhet të bëhen në interes të qytetarëve dhe me konsensus politik.
Ajo i bëri thirrje Policisë së Shtetit të ndalojë dhunën ndaj protestuesve dhe paralajmëroi se nëse mazhoranca vijon me nisma të njëanshme, protestat do të zgjerohen. “Ato që sot në shesh mund të jenë me qindra, do të vazhdojnë të bëhen me mijëra”, u shpreh Tabaku.
Tabaku:
Zoti kryetar, unë u ndjeva jashtëzakonisht keq duke hyrë sot në parlament. Në fakt, kur ti shikon qytetarë të Tiranës, të Shqipërisë që janë atje përjashta, protestojnë e sulmohen nga policia. Ndërkohë që flasim dalin pamjet ku qytetarët janë djegur, janë hedhur substanca të cilat i kanë shkaktuar dëmtime në trup. Sot qytetarët po thërrisnin "parlamenti i krimit" dhe nuk e kanë as me mua as me kolegët tanë, e kanë me mazhorancën socialiste.
Sot qytetarët po thërrisnin "parlamenti i krimit" sepse ka ardhur krimi, ka ardhur krimi në parlament këtu. Unë shkoj çdo natë atje në protestë dhe nuk më prek njeri me dorë. Të provojë njëri nga ju të shkojë atje në protestë. Të provojë një nga mazhoranca socialiste të shkojë atje. Sot qytetarët po protestojnë pikërisht dhe për këtë arrogancë që keni sjellë. Reformën territoriale të njëanshme, një reformë e cila dështoi 10 vite më parë dhe ju përsëri e bëni të njëanshme.
Po protestojnë edhe për këtë arrogancë kartonësh që janë kundër ndarjes territoriale për interesa politike, për llogari elektorale, për llogaritë e pushtetit, pa u kujdesur që interesi i qytetarëve, interesi i pushtetit lokal, financat e pushtetit lokal, decentralizimi të jenë në krye të rendit të ditës. Përsëri të njëjtin gabim që bëtë 10 vite më parë. Sot ato po protestojnë kundër këtij parlamenti se nuk i përfaqëson dhe me të vërtetë nuk i përfaqëson. Kështu që së pari i bëjmë thirrje policisë së shtetit të ndalojë menjëherë dhunën ndaj qytetarëve. I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të merret dhe të hartojë një plan pune për ato katër ligje që opozita ka depozituar këtu në parlament, t'i përfshijë menjëherë në rendin e ditës.
Dhe së dyti, përsa i përket reformës territoriale, zoti kryetar, kur ju keni pasur vullnetin politik për gjëra të përbashkëta në këtë parlament ia kemi arritur, ashtu siç bëtë me rregulloren. Ndaloni prezantimin e njëanshëm dhe hajdeni me një produkt i cili është në interes të qytetarëve. Po përsërisni përsëri të njëjtin gabim të 2014-ës, vetëm reformë në interes të zgjedhjeve, ndërkohë që ne po kërkojmë një reformë në interes të qytetarëve.
Raporti i Parlamentit Evropian, raporti i Komisionit Evropian, raporti i Autoritetit të Kongreseve Lokale, të gjithë njëzëri thonë të mos ketë reformë të njëanshme. Reformat e njëanshme dështojnë, kanë dështuar. Në qoftë se vazhdoni përsëri me këtë iniciativë, ato që sot në shesh mund të jenë me qindra, me dhjetëra do të vazhdojnë të bëhen me mijëra, sepse pikërisht kundër kësaj arrogance po protestojnë. Arrogancës së kartonave, arrogancës mbi pushtetit, arrogancës së 14 viteve që i ka detyruar të dalin në rrugë. Faleminderit.
© SYRI.net