Banorët e Prrenjasit prej ditësh janë në protestë kundër planit për bashkimin me Librazhdin, por nga mazhoranca nuk ka ardhur asnjë premtim për t’i dëgjuar kërkesat e tyre. Përkundrazi, Taulant Balla ka zgjedhur të lërë të hapur skenarin e shkrirjes së bashkisë, duke mos dhënë të njëjtën garanci që dha për Mirditën.
Ndërsa për Mirditën deklaroi qartë se nuk do të bashkohet me një bashki tjetër, për Prrenjasin, Balla shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe u fsheh pas argumenteve teknike, duke rikthyer në vëmendje lidhjen historike me Librazhdin.
“Kemi qenë një bashki gjithmonë”, deklaroi Balla, duke tentuar të justifikojë një bashkim që kundërshtohet nga vetë banorët e zonës.
Në vend që të dëgjonte zërin e qytetarëve që kanë dalë në rrugë prej ditësh, kreu i grupit parlamentar socialist u kërkoi atyre “qetësi” dhe deklaroi se këto çështje nuk zgjidhen me protesta.
“Duhet ta dinë, këto nuk zgjidhen me protesta”, tha Balla, një deklaratë që është parë si një mesazh për t’i mbyllur derën revoltës së banorëve të Prrenjasit.
Por ajo që bie në sy është standardi i dyfishtë i përdorur nga mazhoranca: për Mirditën, Balla doli hapur dhe tha se nuk do të preket, ndërsa për Prrenjasin nuk tha as “po” dhe as “jo”, duke lënë qytetarët në pasiguri.
Banorët e Prrenjasit kërkojnë që bashkia e tyre të ruhet dhe kundërshtojnë humbjen e autonomisë lokale, ndërsa deklarata e Ballës shton dyshimet se vendimi për fatin e tyre mund të jetë marrë tashmë dhe konsultimi me qytetarët të jetë vetëm një formalitet.
Ndërkohë, Balla pranoi se në vitin 2015 Prrenjasi dhe Librazhdi ishin parashikuar si një bashki e vetme, por atëherë u ndanë pas kërkesave të zonës. Sot, sipas tij, çështja do të rihapet në emër të “forcimit të bashkive”, ndërsa banorët kanë dalë hapur kundër kësaj.
Balla:
Do të mbani një koment për banorët e Prrenjasit që e kanë kundërshtuar bashkimin me Librazhdin?
Balla: Unë, ju e dini fare mirë, nuk i kam shkëputur kurrë kontaktet me vëllezërit dhe motrat e mi të gjithë krahinës së Librazhdit edhe të Rrajcës, edhe të Qukësit, edhe të Stravajt, edhe të qytetit të Prrenjasit. Por duhet të kuptojmë një gjë që të gjithë e dini. Parimet që duhet të vendosë kjo reformë duhet t'i tejkalojnë dashuritë personale. Dhe në këtë aspekt unë e dua shumë Rrajcën, e dua shumë Prrenjasin, e dua shumë Stravajn, e dua shumë Qukësin, katër njësitë administrative që përbëjnë bashkinë. Por reforma administrative nuk mund të jetë: këtë meqë është Taulanti i lidhur me atë zonë nuk do ta pranojmë, këtë tjetrën do ta pranojmë. Ajo duhet të jetë e bazuar mbi disa parime, mbi disa kritere, janë dhe disa koeficientë shumë teknikë. E lexova me shumë vëmendje... punë e shkëlqyer, Mazniku dhe kolegët kanë bërë një punë të shkëlqyer, mbi bazën e atyre parimeve duhet të vendosim. Dhe t'ju them të drejtën, unë nuk shoh ndonjë problem sepse asgjë s'ka për të ndryshuar, në Prrenjas patjetër do jenë zyrat, do jenë të gjitha shërbimet, asgjë s'ndryshon, por bëhen bashki më të forta. Megjithatë do jem, ndoshta të shtunën atje për t'u takuar me banorët edhe për shkak se...
Gazetarja: Pra ju e konfirmoni bashkinë e parë që do shkrihet?
Balla: Jo, jo, jo, nuk e kam thënë këtë. Kjo është një përpjekje gjithmonë e një çikë më e shpeshtë për të tjetërsuar ato që thashë unë. Unë thashë që, e para është... këtu është keqkuptuar dhe keqpërdorur një deklaratë e zotit Mazniku. Për shkak se nuk ka ende asnjë projekt. Zoti Mazniku, duke qenë se është drejtues politik i qarkut, ka bërë një sqarim...
Gazetarja: Po zoti Balla, po ndryshe nga çfarë thatë në Parlament për Mirditën që nuk do bashkohet me një qytet apo bashki tjetër, për këtë nuk e thatë.
Balla: Një sekondë... të lutem... një sekondë... një sekondë. Sepse ka një dallim që ta dish ti. Historikisht, Mirdita nuk ka qenë as me Lezhën, as me... Librazhdi dhe Prrenjasi kanë qenë bashkë. Pra, të gjithë e dinë që Librazhdi dhe Prrenjasi kanë qenë një njësi vendore, dikur quhej rrethi Librazhd. Pra të gjitha, 11 njësitë administrative që e përbënin ishin një pjesë, rrethi u shkëput. Por megjithatë t'i lëmë kohë vetes, dhe do u bëja thirrje miqve të mi atje që me qetësi... sepse për shkak... dhe mund t'jua them, ky është meqenëse ma kërkuat, në vitin 2015 në variantin e parë të reformës administrative territoriale ka qenë një bashki, Librazhd. Në atë kohë pati një kërkesë dhe nuk ishim vetëm, kishte dhe aleatë, edhe unë kam ndërhyrë atëherë për të qenë... për t'u bërë dy bashki edhe për shkak të këtij, le të themi, të mosgjetjes së balancës mes dashurisë për zonën edhe rentabilitetit ekonomik apo koeficientëve. Tani me qetësi, me durim, pushtetet vendore në të gjitha këto bashki, në të 61 bashkitë do kenë mundësi sepse kështu e kërkon Kushtetuta, kështu e kërkon ligji për qeverisjen vendore, brenda 60 ditëve nga momenti i propozimit duhet të marrin atë kohën për ta shqyrtuar. Dhe një gjë duhet ta dinë, këto nuk zgjidhen me protesta.
© SYRI.net