Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se mazhoranca po vepron në kundërshtim me Kushtetutën, duke akuzuar qeverinë se prej 13 vitesh ushtron dhunë ndaj protestuesve dhe po cenon të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Ai kritikoi gjithashtu votimin për moszgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Territoriale, duke e cilësuar një goditje ndaj reformës territoriale dhe një sinjal se e njëjta qasje do të ndiqet edhe për reformën zgjedhore. Sipas Bylykbashit, qytetarët që protestojnë po kërkojnë të drejtat e garantuara nga Kushtetuta.
Bylykbashi:
"Ne populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, etj., me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor..." Nuk po e lexoj të gjithë preambulën. "Vendosim këtë Kushtetutë. Shqipëria është Republikë parlamentare, sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit, populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti". Tani shkoni thuajani këtë atyre që janë atje në rrugë, ai është populli. Ata kanë vendosur këtë, ju keni vendosur krejt të kundërtën. Ka 13 vite që protestuesit rrihen, mbyten me gaz, arrestohen, dënohen. 13 vite, opozita e ka për këtë. Sot po e bëni dhe me ata që çohen pa parti.
Të rinj, pleq, familjarë. Po kërkojnë të drejtat e tyre, këto që janë këtu në Kushtetutë. Ky është sistemi. Po luftojnë kundër antisistemit, tij këtu. Në qoftë se kjo quhet terrorizëm, pra të protestosh dhe të rebelohesh kundër horrizmit qeveritar, ky është terrorizmi i vetëm që ndoshta lejon kjo Kushtetutë. Kjo është e drejta e tyre. Zoti kryetar, ajo që ju lejuat të ndodhte këtu, që të lejohet të votohet për të mbyllur komisionin e reformës territoriale, duke mos zgjatur afatin ashtu siç u propozua, është në fakt këmbana e madhe jo vetëm që vret një nga reformat më të rëndësishme që duhet të bëhen në këtë vend, reforma territoriale që ka të bëjë drejtpërdrejt me qeverisjen, me atë që do të dalin nga vota e lirë dhe e ndershme, po ka të bëjë drejtpërdrejt me qeverisjen e përditshme të atyre që kanë dalë sot po protestojnë atje.
Pikërisht për këtë keqqeverisjen, për atë kanë dalë atje. Dhe reforma territoriale është një nga gurët e themelit për këtë, ju ja hoqët këtë mundësi. Ajo që ju synoni është të prishni gjithë përfshirjen dhe konsensualitetin që e kërkon dhe Bashkimi Evropian. Jo vetëm Kushtetuta. Dhe ta bëni si doni ju. Por më e keqja është që kjo është këmbana e cila tregon se çfarë do të bëni ju edhe me reformën zgjedhore. Dy reformat më të rëndësishme do t'i vrisni pikërisht në të njëjtën formë. Atë që bëtë në vitin 2020, atë po bëni tani. Këtë planifikoni. Në qoftë se ky quhet terrorizëm dhe një herë, kjo është e vetmja e drejtë për të protestuar kundër një qeverie kriminale dhe të korruptuar.
© SYRI.net