Debatet në Kuvend kanë dalë jashtë rendit të ditës duke u fokusuar te protestat e qytetarëve jashtë godinës dhe prania e madhe e forcave të rendit, që kishin rrethuar perimetrin e institucionit.
Gjatë fjalës së mbajtur në foltore, kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi ka lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës dhe Policisë së Shtetit, duke dënuar atë që u cilësua si përdorim i mjeteve disproporcionale dhe dhunë ndaj protestuesve. Sipas ligjvënësit, rrethimi masiv me kordonë sigurie nuk justifikohet nga asnjë rrezik real për jetën e deputetëve, por vjen ekskluzivisht nga frika e shumicës parlamentare se mos u bëhen pis "kostumet e tyre të shtrenjta" me vezë.
Ai theksoi gjithashtu se detyra e policisë nuk është të bëhet mburojë për veshjet e politikanëve, por të hetojë se ku i gjetën këta të fundit paratë për t'i blerë ato, si dhe të fokusohet te goditja e krimit të organizuar.
Pasi u ndërpre nga zhurmat e vazhdueshme në sallë, deputeti i opozitës iu drejtua drejtpërdrejt njërit prej kolegëve të mazhorancës me një gjuhë mjaft të ashpër, duke e ftuar atë të pyesë të vëllain e tij në burg për të kuptuar se si funksionon realisht Policia e Shtetit.
Bardhi e mbylli fjalën e tij duke e përkufizuar parlamentin e rrethuar si një "bunker" që shërben si strehë për politikanë të frikësuar nga qytetarët, pikërisht për shkak të abuzimeve 14-vjeçare me fondet dhe pasuritë publike.
Gazement Bardhi: Zoti kryetar, së pari do duhet që ky kuvend t'i kërkojë policisë së shtetit të ndalë menjëherë dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë godinës së kuvendit. Është e papranueshme që sot godina e kuvendit në një perimetër të zgjeruar është rrethuar nga forca sigurie a thua se qytetarët tanë na rrezikojnë ne, deputetëve të këtij kuvendi, jetën. Pa asnjë diskutim, Taulant, të rrezikojnë të të bëjnë pis kostumin me ndonjë vezë, e di që e ke të shtrenjtë. Por ky nuk është halli i kuvendit dhe nuk duhet të jetë as halli i policisë së shtetit. Përkundrazi, halli i policisë së shtetit duhet të jetë të verifikojë atë markën e kostumit tënd dhe të verifikojë dhe të ardhurat, se ku i ke gjetur paratë për atë kostum të shtrenjtë ti edhe disa prej kolegëve, jo të gjithë kolegët e mazhorancës.
Por kjo nuk justifikon kurrë dhunën ndaj qytetarëve, përdorimin e mjeteve disproporcionale kundër protestuesve dhe atë që po ndodh jashtë kësaj salle të seancës plenare. Prandaj zoti kryetar, në emër të kuvendit nuk e nderon ajo që po bën policia e shtetit Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Askush prej nesh nuk do të duhet të ndihet i rrezikuar nga kritika e qytetarëve. Askush prej nesh në këtë sallë nuk duhet të ndihet i rrezikuar nga kërkesat e qytetarëve. Përkundrazi. Dhe prandaj e kemi votuar edhe kundër për atë kalendarin. Ne duhet t'i marrim shumë seriozisht kërkesat e qytetarëve, duhet t'i bëjmë pjesë të këtij programi të punës, kanë kërkuar shfuqizimin e disa ligjeve, duhet t'i shqyrtojmë me urgjencë dhe jo të rrimë në heshtje ndërkohë që atje të moshuar, të rinj, janë duke u dhunuar nga punonjësit e policisë së shtetit. Detyra e policisë së shtetit është të ruajë rendin dhe sigurinë. Detyra e policisë së shtetit është të arrestojë eksponentë të krimit të organizuar.
Detyra e policisë së shtetit është të parandalojë ngjarjet kriminale. Detyra e policisë së shtetit është të parandalojë sulmet ndaj qytetarëve, nuk ka asnjë rrezik institucioni. Zotrote si të gjithë ne të tjerët ke hyrë krejt lirshëm në sallën e seancave plenare, nuk të ka rrezikuar asnjë qytetar, nuk të rrezikon as vezë asgjë e qytetarëve. Po atëherë për çfarë e keni kërkuar mbrojtjen e policisë së shtetit? Për çfarë keni vu perimetrin deri te rruga e Elbasanit a thua se kush po hyn këtu? Po hyni ju. Edhe do duhet me ju mbrojt, do duhet me ju mbrojt ju nga rruga e Elbasanit e deri te rruga e Dibrës. Se ju rrezikohet ju. Se ju rrezikohet ju, se kanë të drejtën e tyre për të protestuar. Për t'u mbrojtur pra e keni kërkuar ju mbrojtjen. Po frika juaj nuk mund të justifikojë kurrë dhunën ndaj qytetarëve. Frika juaj nuk mund të tolerojë kurrë dhunën ndaj qytetarëve. Keni frikë, mos hajdeni në kuvend! Keni frikë, mos hajdeni në kuvend. Keni frikë nga qytetarët, fshihuni! Dhe bëni mirë të fshiheni! Se i keni marrë shpirtin 14 vite qytetarëve. Dhe ky është reagimi që meritoni. Ky është reagimi që meritoni dhe ky është reagimi që do të merrni.
Frikën tuaj mos ia impononi Kuvendit të Shqipërisë! Frikën tuaj mos ia impononi qytetarëve të Republikës së Shqipërisë! Kostumet tuaja të shtrenjta që keni hall se jua bëjnë pis me vezë mos i përdorni si justifikim për të dhunuar qytetarët. Lejoni qytetarët të protestojnë, e kanë të drejtë kushtetuese, nuk ia mohoni dot as ju përmes frikës tuaj, as policia e shtetit duke shkelur kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë. Të dhunosh të rinjtë, të dhunosh të moshuarit dhe të përdorësh ndaj tyre mjete disproporcionale, është një shkelje flagrante e kushtetutës, është një shkelje flagrante e ligjit.
© SYRI.net