Gazetari Everest Dedaj theksoi se beteja e vërtetë politike sot nuk është kundër opozitës, por kundër kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar se segmentet që po përpiqen ta kthejnë protestën qytetare në një tribunë sulmesh ndaj Partisë Demokratike po i japin "oksigjen" pushtetit dhe po dëmtojnë vetë kauzën e protestuesve.
I ftuar në studion e Kafe Shqeto, Dedaj u shpreh se, relativizimi i përgjegjësisë së qeverisë dhe vendosja e opozitës në të njëjtin plan me një qeverisje që ai e akuzon për korrupsion, kapje të shtetit dhe lidhje me krimin, jo vetëm që dobëson revoltën qytetare, por shërben drejtpërdrejt për mbijetesën politike të Edi Ramës.
Dedaj tha se opozita ka zhvilluar prej vitesh betejat institucionale dhe politike për çështjet që sot janë në qendër të protestave, ndërsa tentativat për ta shpallur atë armikun kryesor të qytetarëve i cilësoi si një strategji që përçan frontin opozitar dhe i jep avantazhin e vetëm qeverisë.
Pjesë nga deklarata:
Do të duhet të jemi të vërtetë, do të duhet të jemi të sinqertë. Ju keni zotin Tepelena në studio, i cili është i angazhuar në ato protesta dhe ka një rol mjaft aktiv në atë protestë, si qytetar, si aktivist. Por ajo çfarë unë, të paktën, gjykoj, parë edhe nga aspekti qoftë si njeri i medias, pra si gazetar, qoftë edhe nga funksioni që unë kam si këshilltar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ajo çfarë, në gjykimin tim, është, po themi, nuk e vë në vështirësi kapitalizimin e një lëvizjeje kaq të madhe qytetare, është mendimi politik dhe sjellja politike e shumicës prej atyre qytetarëve të cilët janë në shesh.
Çdo lëvizje do të duhet të jetë politike që të ketë një benefit politik, sepse, në fund të fundit, beteja e të gjithë qytetarëve është betejë me politikën. Pra, do të thotë që edhe sjellja e tyre do të duhet të ketë një sjellje dhe një mendim politik.
Ajo çfarë unë e shoh si shqetësim, mes gjithë këtyre të mirave që listova dhe realisht i mendoj, i mbështes dhe, në një farë forme, përpiqem edhe t'i elaboroj apo t'i mbështes publikisht, është një problem që do të duhet thënë: pjesa e segmenteve të cilat përpiqen ta shfrytëzojnë atë protestë.
E para, ti nuk mund të relativizosh sot të keqen. Nuk mundet që ti ta relativizosh, me gjithë problemet që mund të ketë pasur kjo opozitë, me gjithë gjërat të cilat mund të mos i ketë bërë siç duhet, ose me të gjitha gjërat të cilat mund të ketë tentuar t'i bëjë në të mirë të vendit, por që mund të ketë dështuar, sepse politika kjo është. Pra, ti beson në diçka, lufton për diçka, pastaj, në fund, kjo nuk do të thotë që ti po bën gjënë më të mirë, por ti e beson atë gjë.
Por kjo nuk do të thotë që ti të relativizosh të keqen dhe të paraqesësh të gjitha figurat politike si një problematikë kryesore. Unë mendoj që sot problemi i madh i shqiptarëve është Edi Rama. Në qoftë se ti largon Edi Ramën, më pas kjo është një leksion për secilën forcë politike, qoftë kjo edhe për Partinë Demokratike.
Pa dyshim, edhe Partia Demokratike ka shumë, shumë, shumë, po shumë për të mësuar nga kjo protestë dhe përballë kësaj proteste. Ka shumë kërkesa për t'i implementuar dhe për t'u kthyer në një parti që përfaqëson secilin prej atyre qytetarëve të cilët janë sot në shesh. Edhe ata të cilët janë kritikë dhe marrin mikrofonin e bëjnë më shumë thirrje kundër Partisë Demokratike sesa kundër një kryeministri i cili ka 11 vjet në pushtet dhe njihet për aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë.
Korruptive dhe kriminale, duhet thënë, jo vetëm korruptive, jo vetëm, po themi, me korrupsion shtetëror, por edhe kriminale, sepse ka përfshirë edhe krimin në raportet e qeverisjes dhe në mënyrën se si e qeveris këtë vend.
Pa dyshim që opozita do të duhet të mësojë nga kjo, por kjo nuk do të thotë që ti të relativizosh dhe të paraqesësh si të keqen më të madhe opozitën e një vendi, e cila realisht ka luftuar. Të gjitha ato kërkesa që janë sot në shesh dhe që sot kërkohen në shesh janë një vijë dhe një diskurs, jo vetëm politik, por edhe një sjellje politike e Partisë Demokratike dhe e aleatëve të saj.
Ligji për zonat e mbrojtura ka qenë një ligj që ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, është luftuar në Parlament kundër atij ligji dhe është ngritur në vazhdimësi në Parlament kundër atij ligji.
Ligji për investimet strategjike, për investitorët, apo për oligarkët strategjikë, sepse nuk ka investitorë, ka oligarkë strategjikë, është prej 10 vitesh një ligj që Partia Demokratike e kundërshton në të gjitha format e saj, duke iu drejtuar edhe drejtësisë. Të gjitha këto çështje që sot ngrihen kanë qenë, në një farë forme, pikat kryesore mbi të cilat ka ecur opozita shqiptare.
Pa dyshim që opozita ka instrumentet e fjalës, ka instrumentet për të ndjekur procedurat parlamentare, për të ndjekur procedurat në Gjykatën Kushtetuese dhe, patjetër, për të sensibilizuar opinionin publik. Por kjo nuk do të thotë që opozita ka qenë inekzistente dhe që ti mund ta paraqesësh si inekzistente në këto raporte.
Kështu që, në gjykimin tim, ajo çfarë tentohet t'i bëhet një opozite nga opozita është më e dëmshme sesa ajo që, po themi, u bën qeveria këtyre qytetarëve. Dhe kjo e dëmton qoftë kauzën, qoftë edhe gjithë këtë proces që ne e shohim në shesh.
Pa dyshim, nuk jam kundër kritikave. Nuk jam kundër as kritikave publike për të përmirësuar një forcë politike, e cila pretendon që nesër të marrë pushtetin. Por beteja sot nuk është beteja me Partinë Demokratike. Sot beteja është për të larguar kryeministrin Edi Rama dhe më pas për të bindur qoftë edhe Partinë Demokratike që të përfshihet në procese vendimmarrëse politike e parlamentare, të cilat u japin përgjigje këtyre kërkesave të protestuesve shqiptarë.
Dhe, në këtë aspekt, unë kështu e shoh. Nuk më komplekson fakti që ka kritika ndaj Partisë Demokratike, por më shqetëson fakti që segmente të asaj proteste përpiqen të jenë opozita e opozitës, e cila nuk bën asgjë tjetër, përveçse i jep oksigjen një të vdekuri politikisht, siç është Edi Rama.
Të paktën unë kështu e shoh dhe e shoh me shumë sinqeritet. Nuk e shoh fare si i ndikuar dhe as i përfshirë, po themi, në mendime apo në procese politike. E shoh me shumë sinqeritet dhe si një problem shumë të madh, sepse unë jam një prej qytetarëve shqiptarë që, edhe si gazetar, edhe si njeri që mendoj dhe përpiqem të përfaqësoj një mendim ndryshe, kam më shumë se 14 vjet që protestoj, qoftë në protesta qytetare, qoftë në protesta politike të thirrura nga Partia Demokratike.
Kam qenë në çdo protestë që është zhvilluar në Shqipëri dhe nuk mund të jesh përjashtues ndaj atyre mijëra qytetarëve shqiptarë që prej 13 vitesh kanë qenë edhe në burgje, edhe me shërbim prove, edhe në dyert e drejtësisë, vetëm pse kanë protestuar kundër Edi Ramës. Dhe ti sot paraqitesh dhe tenton t'i paraqesësh, po themi, si njerëz që nuk do të duhej të ishin në shesh.
Kjo, për mua, është e patolerueshme dhe, në gjykimin tim, është një pjesë për të cilën nuk bihet dakord.
© SYRI.net