‘Akti Normativ për 4.2 mln euro’/ Preçi: Sjellje arrogante me buxhetin. Qeveria cënoi Fondin Rezervë të Shtetit

18:19, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Eksperti i ekonomisë dhe financave, Zef Preçi, ka vënë në dyshim ligjshmërinë e aktit normativ të qeverisë për përdorimin e fondeve rezervë, duke argumentuar se rasti nuk përputhet me qëllimet e përcaktuara në ligj për këtë fond.

I ftuar në emisionin "Task Force" në SYRI TV, me gazetaren Sonila Meço, Preçi u shpreh se çështja duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, pasi sipas tij bëhet fjalë për një akt të pambështetur në ligj dhe jo për një çështje që i takon hetimit penal nga SPAK.

Debati në studio:

Meço. Pra është hapur një, një urë e re për të kaluar fondet në këtë mënyrë te privati?

Preçi: Pa dashur të polemizoj me zotin Nuri...

Ajo që mund të them është që çështja, në vlerësimin tim, nuk është çështje e hetimit penal siç po trajtohet, sepse t'i japim Çezarit çfarë i takon Çezarit. SPAK-u është krijuar për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar. Në rastin konkret kemi të bëjmë me ligjshmërinë apo paligjshmërinë e aktit të ndërmarrë nga qeveria. Cilido që di të shkruajë dhe të lexojë, mjafton të lexojë ligjin për përdorimin e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shprehimisht, qartësisht se në çfarë destinacionesh, për çfarë qëllimesh mund të përdoren këto para. Ku... përdorimi që është bërë, rezulton të mos jetë i parashikuar në ligj. Pra, kemi të bëjmë me një akt të pambështetur në ligj. Dhe aktet e pambështetura në ligj apo të dyshuara si të tilla, adresohen në Gjykatën Kushtetuese. Përtej faktit që qeveria po vepron kur Parlamenti është i mbledhur. Shfrytëzimi i aktit normativ si instrument legal për të rishpërndarë fonde, është përdorur 22 herë që nga viti 2017...

Meço: Por për akte emergjente, për arsye emergjente.

Preçi: Por që kanë pasur një lloj justifikimi publik, tërmeti, përmbytjet e të tjera si këto. Dhe në këtë këndvështrim unë e shoh si një sjellje arrogante në administrimin e buxhetit të shtetit, si një cënim të një fondi rezervë për ditë të vështira për vendin dhe në të njëjtën kohë, si një sfidë morale, më shumë sesa juridike, për vetë Parlamentin. Ndërkohë, shqyrtimi në vlerësimin tim, duhet bërë e duhet bërë nga Gjykata Kushtetuese sepse është një akt që qartësisht shihet që nuk është i mbështetur në ligj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco