‘Panem et circenses’ i turpshëm i Ramës

‘Panem et circenses’ i turpshëm i Ramës

11:38, 08/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Oerd Bylykbashi/

Edi Rama miraton me një të rënë të lapsit një Akt Normativ me fuqinë e ligjit për t’i dhënë këngëtarit Kanye West plot 4,25 milionë euro për të bërë koncert në Tiranë! A është në terezi ky?!

Akti Normativ nxirret VETËM në kushtet e NEVOJËS dhe URGJENCËS. Këtë e thotë Kushtetuta. Nëse Parlamenti nuk e miraton ose Gjykata Kushtetuese e shfuqizon si antikushtetues, paratë duhet të kthehen në buxhet. Por deri atëherë, 4,25 milionë euro do të jenë bërë muzikë në ajër dhe nuk kthehen më.

Këto para merren nga Fondi Rezervë i qeverisë, fond që ekziston për emergjenca. Stina e zjarreve ka filluar, më pas vijnë përmbytjet dhe nevojat për dëmshpërblime. Për sa e sa halle mund të përdoreshin këto 4,25 milionë euro? Me një llogari të thjeshtë, është sikur shteti të ketë paguar biletat e rreth 28 mijë spektatorëve.

Çfarë nevoje, urgjence apo fatkeqësie natyrore përbën Kanye West (qoftë me shëndet ai që është), që t’u bëhen tym për një natë koncert 4,25 milionë eurot e taksave të shqiptarëve?

Në Romën e lashtë, kur kishte trazira e pakënaqësi, perandorët shpërndanin bukë dhe organizonin spektakle për të qetësuar popullin. Kjo u quajt “panem et circenses” – bukë dhe cirk.

Ky akt është pikërisht “panem et circenses” i turpshëm i Ramës, në një kohë kur mijëra shqiptarë protestojnë çdo ditë kundër këtij Antisistemi. Është shprehje e arrogancës së një pushteti që nuk bazohet në votë, por në degradimin e krimit dhe korrupsionit.

Parlamenti nuk duhet ta miratojë këtë Akt Normativ. Nëse e miraton, ai duhet të dërgohet menjëherë në Gjykatën Kushtetuese. Antikushtetutshmëria e tij është e dukshme.

Legjenda thotë se në vitin 1789, kur Maria Antuaneta mori vesh se francezët nuk kishin bukë për të ngrënë, tha:

“Nëse nuk kanë bukë, le të hanë briosh.”

Pak më vonë shpërtheu Revolucioni Francez. Si tani, ishte korrik. Fundi i Luigjit XVI dhe i Maria Antuanetës është fakt historik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco