Gjatë një seance raportimi të kreut të SPAK Klodian Braho, në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, debatet janë përqendruar në dy çështje tepër të nxehta: mundësia e thirrjes së ish-ambasadorit amerikan si dëshmitar për ngjarjet e së kaluarës dhe dyshimet e forta për dekonspirimin e operacioneve të prokurorisë së posaçme nga radhët e policisë.
Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri ngriti kërkesën për të përfshirë në dosjet hetimore regjistrimet dhe dëshmitë e stafit të ambasadës amerikane. Sipas tij, trupi diplomatik ka ndjekur minutë pas minute ngjarjet që çuan në detyrimin e forcave të rendit për të vepruar në të shkuarën, duke theksuar domosdoshmërinë e një hetimi të gjithanshëm dhe të paanshëm. Për më tepër, gjatë diskutimeve u theksua se zyrtarë të lartë ndërkombëtarë kishin shprehur pakënaqësi të thellë për moshetimin e organizatorëve të atyre ngjarjeve nga organet e drejtësisë.
Përfaqësuesi i prokurorisë zgjodhi të ruajë rezervën procedurale, duke u shprehur se nuk ka komente për çështje konkrete. U qartësua se prokurori i çështjes mban diskrecionin dhe kompetencën e plotë për të kryer çdo veprim hetimor, brenda apo jashtë vendit, të cilin e gjykon të nevojshëm për zbardhjen e së vërtetës.
Tensioni në komision njohu rritje kur u ngrit një tjetër pikë kritike. U denoncua fakti se, pavarësisht punës së shkëlqyer të partnerëve ndërkombëtarë që dorëzojnë dosje të kopsitura me emrat e personave nën hetim, kokat e krimit të organizuar arrijnë t'i shpëtojnë prangave. Rastet në Durrës dhe Shkodër u sollën si shembuj ku dyshohet për rrjedhje të rënda informacioni dhe dekonspirim të operacioneve nga vetë strukturat e policisë. Për këto dështime të përsëritura, u kërkua llogari nëse ka nisur një hetim i mirëfilltë, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së përgjegjësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gent Strazimiri: Që ai dhe ekipi i tij në ambasadë, e kanë ndjekur hap pas hapi minutë pas minute. Gjithçka ishte e përgatitur dhe e organizuar që të mund të çonte, të nxirrte në një veprim të detyruar forcat e rendit. Më vjen një koment, thotë: "Po të kisha qenë një nga ata policë aty, do të kisha dalë nga rreshti dhe do t'i kisha rrahur paq", citoj. Pyetja ime është: Meqënëse jeni rikthyer dhe keni hapur çështjen dhe kërkojmë të gjithë të vërtetën, ekziston mundësia të pyetet, të merret në cilësinë e dëshmitarit Aleksandër Arvizu? Stafi i tij në ambasadë, i cili siç thotë ai, ka regjistruar minutë pas minute gjithçka që po ndodhte, në kuadër të bashkëpunimit që kemi me partnerët amerikanë, veçanërisht përsa i përket funksionimit të SPAK-ut. A mundet dot të merren dhe ato si burime për të kuptuar dhe për të dalë tek e vërteta, për të bërë një hetim, siç e tha atëherë, citoj prapë ambasadorin Arvizu: "Të gjithanshëm, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës"? E them këtë sepse unë në atë kohë kam qenë ndër të paktët deputetë të parlamentit, të interesuar dhe protagonist në kërkim të së vërtetës. Ngriti menjëherë parlamenti një komision hetimor atëherë. Morëm informacione dhe të klasifikuara e ku di unë se çfarë, e njëra e tjetra. Pala tjetër s'ishte e interesuar, ishim vetëm ne, sigurisht gjysmagjeli ishte ai komision, prandaj them, meqënëse hapet çështja, ekziston, kjo është pyetja thjesht proceduriale: procedurialisht ekziston mundësia që këto burime publike informacioni shumë të besueshme, të mund të përfshihen në dosje që të na çojnë tek e vërteta, ajo e pastra, e kulluara?
Oerd Bylykbashi: Vetëm një element, nuk kam për t'i bërë vlerësimin e pyetjes. Jo vetëm përfaqësuesi i lartë i Departamentit të Shtetit, zoti Countryman atëherë kërkoi hetimin e plotë, por edhe ambasadori Arvizu ka shprehur, në një takim në funksionin tim zyrtar në atë kohë, ka shprehur pakënaqësinë për moshetimin nga prokuroria të organizatorëve.
Klodian Braho: Për çështje shumë procedurale, unë nuk mbaj asnjë qëndrim, unë nuk kam komente për çështje konkrete. Prokurori i çështjes ka detyrën të kryejë çdo veprim hetimor të nevojshëm, që ai e vlerëson të nevojshëm dhe të domosdoshëm. Që do të thotë, mund të kryejë veprime qoftë brenda Shqipërisë, apo në vende të tjera duke përdorur mjetet e bashkëpunimit ndërkombëtar, dhe është kompetencë e grupit të hetimit për të vlerësuar se çfarë veprimesh duhet të kryejë dhe si duhet t'i kryejë.
Gent Strazimiri: U qartësova shumë nga përgjigjja e prokurorit. Domethënë, në qoftë se e kam kuptuar gabim dhe e kam vetëm thjesht për efekt protokolli, procedurialisht ekziston mundësia, kuadri ynë ligjor që të mund të administrohen si dëshmi apo si formë provash këto që sapo ju thashë. Pastaj është vendimi i prokurorit të çështjes nëse e bën apo s'e bën, edhe për opinionin publik që ta dijë. Tashi, një pyetje që kam unë. Ju jeni krijuar dhe ka pritshmëri shumë të madhe për luftën kundër krimit të organizuar, domethënë trafikut të drogës e të tjerë, dhe korrupsionit. Një nga pyetjet që kam: Në disa prej goditjeve, që janë të gjitha punë e policive ndërkombëtare, e partnerëve... sjellin dosjet gati këtu me listën me personat që duhen arrestuar. Kryesorët, në mënyrë të përsëritur, të paktën sipas mediave dhe nuk ka përgënjeshtrim nga ana juaj, nuk kapen. A ka dekonspirim nga ana e policisë për këtë punë? Dhe nëse po, a ka një hetim në lidhje me këtë, sepse po ndodh në mënyrë të përsëritur? Rasti i Durrësit, rasti i Shkodrës, rasti... i disa rasteve. Kjo është pyetja…
© SYRI.net