Arrestimi i protestuesve/ Balliu: Janë dhunuar, hajdutët e kriminelët ndodhen në parlament

11:22, 03/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

19 protestues ende po mbahen në ambientet e komisariatit numër tre në kryeqytet, pas tensioneve polici-protestues, që u shënuan në protestën e 2 korrikut përpara Kuvendit.

Një deklaratë për mediat, deputeti i PD, Klevis Balliu pas vizitës që bëri në ambientet e Komisariatit u shpreh se disa prej të ndaluarve kanë shenja të dukshme dhune dhe lëndime në trup si pasojë e shoqërimit.

 Për shkak të plagëve të marra, theksoi deputeti demokrat, është parë e nevojshme ndërhyrja e mjekëve në ambientet e komisariatit, si dhe vënia në gatishmëri e autoambulancave për të transportuar drejt spitalit rastet që kanë nevojë për mjekim të specializuar.

Akuzat e ngritura ndaj tyre për ushtrim dhune gjatë tubimit, për Balliun janë thellësisht qesharake, duke marrë parasysh se në një protestë me qindra mijëra qytetarë nuk u dëmtua asnjë pronë publike.

Sipas tij, shoqërimi i protestuesve është një urdhër i verbër pa asnjë provë dhe fakt penal, teksa i bëri thirrje gjykatës t'i lërë të lirë..

Duhet t'ju informoj, disa prej tyre kishin plagë, por nuk ishin të demotivuar absolutisht, por ishin më të karikuar se kurrë. Realisht qëndrestarë të jashtëzakonshëm dhe është e turpshme që këta qytetarë që po luftojnë për të drejtat e tyre janë në qeli, ndërkohë që të tjerë hajdutë dhe kriminelë ndodhen në parlament dhe në institucionet e shtetit. Më kanë informuar për t'u lidhur me disa nga familjarët e tyre, të cilët disa prej të cilëve i takova këtu. Mund t'ju them që tezat dhe konspiracionet ndaj këtyre protestuesve se kanë ushtruar dhunë janë tërësisht dhe totalisht qesharake, pasi siç e keni parë dhe vetë, ata kanë dalë 200 mijë veta dhe nuk e kanë dëmtuar një pemë. Kanë dalë 200 mijë e 300 mijë dhe nuk kanë dëmtuar asnjë pemë, të akuzosh këta për dhunë, domethënë është qesharake, është e turpshme.

Dhe do t'i bëja thirrje që urgjentisht të merren masat, të shkojnë në gjykatë që të lirohen, sepse është e turpshme. Gazetari: Zoti Balliu, çfarë komunikuat me protestuesit? Çfarë ju thanë? Zoti Balliu: Kishin merakun vetëm të miqve të vet që të vazhdojnë qëndresën, thanë, dhe kishin merakun e familjeve të tyre, të familjarëve, që ta dinë që ata ishin mirë.

Kishte protestues që kishin dëmtime, por u morën masat, njoftova mjekun, do vijnë këtu. Kush ka nevojë për të shkuar edhe në spital për të mjekuar ndonjë të nxirë, do të çohet, kam njoftuar dhe ambulancën dhe të gjitha. Ajo çfarë me ta diskutuam gjatë e gjatë, ishin të motivuar, vazhdonin me thirrjet e tyre të protestës. E vetmja gjë që mendoj ka rëndësi dhe ju lutem juve mediave, mos bini pre e ndonjërit që bën ndonjë lajm kot që kanë sulmuar mediat, absolutisht jo.

E vetmja gjë që kam kërkesë për të gjithë juve sinqerisht, nxirrni pamjet e arrestimeve dhe të dhunës që është ushtruar ndaj këtyre protestuesve. Falënderoj për ato pamje që i keni nxjerrë, po duhet t'i kërkoni llogari dhe ju ftoj të shkoni tek drejtoria e policisë dhe të pyesni drejtorin e policisë që si e justifikoni këtë dhunë që bëni ndaj qytetarëve. Dhe organeve ligjzbatuese duhet t'i kërkoni që si mund t'i hiqet liria njerëzve, thjesht se jep urdhër dikush pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë. Kam çuar letër dhe do t'i thërras, si nënkryetar i Komisionit të Punëve të Brendshme, do t'i thërras në komision për t'i kërkuar llogari, se kjo punë s'mund të vazhdojë kështu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco