Anëtari i opozitës në Këshillin Bashkiak të Vlorës, Atird Hoxha, ngriti akuza të forta ndaj qeverisë gjatë intervistës në emisionin "Kafe Shqeto" në Syri TV, me moderatorin Flavio Qarri.
Sipas tij, vizita e aktorit të njohur turk në Vlorë nuk kishte karakter promovues për turizmin, por lidhej me interesa ekonomike, pasi aktori është imazh i kompanisë që ka përfituar 88.5 hektarë tokë për ngritjen e një zone të lirë ekonomike.
Gjatë bisedës, Hoxha denoncoi atë që e cilësoi si një model qeverisjeje që favorizon investitorët e mëdhenj në dëm të qytetarëve dhe biznesit vendas.
Ai foli për projektet e fotovoltaikëve në Kaninë, përplasjet brenda mazhorancës në Këshillin Bashkiak të Vlorës dhe parashikoi se pas përfundimit të sezonit turistik do të dalin në pah problemet reale ekonomike të qytetit, duke i cilësuar shumë prej projekteve të shpallura si të destinuara të dështojnë.
Intervista:
Hoxha: Unë mendoj që vizita e aktorit të njohur turk ka qenë një vizitë biznesi, për t'u hedhur hi syve qytetarëve, ashtu siç i tha edhe zoti Cara që në propagandë këta janë mjeshtra. U përpoqën për ta veshur vizitën e tij si reklamë për turizmin dhe për qytetin e Vlorës, por në fakt paska pasur prapavijë ekonomike e cila, sepse vetë aktori turk është imazhi i kompanisë e cila ka aplikuar dhe tashmë nga data 1 korrik me vendim të Këshillit të Ministrave, 88.5 hektarë kanë kaluar pikërisht kësaj kompanie për një zonë të lirë ekonomike. Është një sipërfaqe jashtëzakonisht e madhe e cila do duhet të shikojmë më pas se çfarë...
Qarri: Çfarë domethënë zonë e lirë ekonomike? Se sikur u dogjëm një herë me Duranën si zonë e lirë ekonomike.
Hoxha: Po sepse shiko, ata dëshirën për ta implementuar e shfaqin në mënyra të ndryshme Flavio. Në qoftë se u zbulua Durana, tani të gjejmë këtë Osmanin, të gjejmë kompaninë turke që do të ndërtojë këtë zonë të lirë ekonomike për të implementuar pikërisht ato dëshira që ata kanë. Siç është edhe kjo që ju sapo folët për shembull për përjashtimin e taksave të resorteve luksoze me 5 yje. Po i bie që biznesi i vogël, pastaj dhe biznesi i mesëm ndoshta të paguajë, dhe këta zotërinj që paskan dhe më shumë... Kur erdhën në pushtet në 2013-ën na thanë që ata që kanë më shumë do paguajnë më shumë.
Qarri: Po se ju jeni me taksën e sheshtë, këta janë me taksën progresive.
Hoxha: Po s'ka taksë progresive këtu se këtu po goditet më i dobëti dhe po favorizohet më i forti.
Qarri: Po pra, progresive në invers. I madhi s'paguan, i vogli mban gjithë barrën.
Hoxha: Po është, domethënë është në vazhdën e këtyre. Siç janë në plan 640 hektarë të tjera në Kaninë për t'u dhënë klientëve të qeverisë për të bërë fotovoltaik, që ia kanë vënë syrin dhe që siç thatë edhe ju, i mori vendin e punës apo i preu kokën edhe kryetarit të Bashkisë Vlorë i cili dha dorëheqjen. U vesh dhe ajo me një dorëheqje, por në fakt ka qenë një presion i jashtëzakonshëm për këto afera të jashtëzakonshme. Unë do t'i konsideroja në kuadrin e çmendurisë domethënë. Të flasësh për hektarë të tëra kështu, sikur nuk flitet për tokë shqiptare dhe pikërisht të gjitha këto u jepen njerëzve të cilët nuk kanë as...
Qarri: Tani një sekondë hoxha, kam nevojë për një raportim nga ana jote për situatën në Vlorë, ti e di që unë e kam shumë qejf këtë pyetje, edhe për shkak të kuriozitetit tim personal në Vlorë. Ka pasur një përpjekje nga kryeministri propagandistike për të nxjerrë vlonjatë të ndryshëm që janë pro veprimeve që po bën kryeministri në qytetin e tyre. E ke ti një panoramë alternative ndoshta?
Hoxha: Ja unë po të them diçka të shkurtër, që për shembull po të them që në mbledhjet e fundit të Këshillit Bashkiak, më shumë se sa 30% e atyre të Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste, të zgjedhur nga Partia Socialiste, nuk marrin më pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak për të mos votuar më asnjë vendim të ekzekutivit të Bashkisë Vlorë. Që është po themi njeriu që e përfaqëson pikërisht edhe Ramën edhe në mënyrën se si kryetari i bashkisë vepron. Pra, ata po humbasin pjesë të tyre, jo më të jenë dakord qytetarët që për javë të tëra, për ditë të tëra qëndrojnë pa ujë, nuk ka infrastrukturë, nuk ka ekonomi. Këtu Flavio, në shtator do flasim bashkë për Vlorën, se Vlora tani ndoshta lëviz pak ekonomia për shkak të turizmit edhe njerëzit që vijnë, edhe duket e gjallëruar, por në shtator do flasim sepse ky dimër dhe dimrat që do të pasojnë do të jenë shumë të vështirë për Vlorën për shkak sepse ishte ngritur një tymnajë e madhe sikur këtu do të zhvilloheshin projekte madhështore, mbi kulla dhe mbi resorte, por faktikisht të gjitha janë të bindura që do të dështojnë sepse kanë qenë të ndërtuara mbi objektivin për të pastruar paratë e drogës dhe të korrupsionit. Të cilat tashmë për shkak edhe të goditjeve që janë duke ndodhur edhe nga drejtësia, janë stepur. Dhe do të vazhdojnë të stepen, dhe do të kemi një pasqyrim të tyre në shtator, tetor të këtij viti, i cili do të tregojë qartësisht se ekonomia...
© SYRI.net