Gazetari dhe aktivisti Aulon Kalaja tha në një intervistë në Syri TV se ndërhyrja e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit ishte një akt i dhunshëm dhe i paligjshëm ndaj qytetarëve që po ushtronin të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar.
Kalaja theksoi se, aksioni i forcave të rendit nuk ishte një reagim proporcional ndaj situatës së krijuar, por zbatim i një urdhri politik, i cili u dha për të mbrojtur deputetët e mazhorancës pas tensioneve të krijuara gjatë protestës. Kalaja akuzoi policinë se ushtroi dhunë fizike ndaj protestuesve, përdori spray piper dhe mjete të tjera force, si dhe kreu arrestime që ai i cilësoi të paligjshme.
Ai ngriti gjithashtu akuza se policia u shndërrua në një instrument politik në shërbim të pushtetit, ndërsa kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve të arrestuar, duke e cilësuar ndërhyrjen e sotme si një shkelje të rëndë të standardeve demokratike dhe të së drejtës për tubim paqësor.
Pjesë nga deklarata:
Së pari, përfitoj nga rasti që të bëj një thirrje publike për të liruar vëllezërit tanë, të gjithë ata që janë arrestuar në mënyrë të paligjshme, në gjykimin tim, dhe në mënyrë joprofesionale nga policia. Ka shumë kohë që Policia e Shtetit e ka humbur besueshmërinë publike dhe, sigurisht, të gjitha arrestimet që ka bërë kanë qenë të paligjshme.
Po të shikoni edhe ndërhyrjet që ka bërë në protestat e opozitës, unë e kam vuajtur vetë mbi shpinë dhe, sot e kësaj dite, akuzohem për goditje për shkak të detyrës. Pra, për mua kërkojnë nga një deri në pesë vite burg, sigurisht që unë s'i kam rrahur policët, dhe jo e kundërta, ndërkohë që ju e keni parë se çfarë më ka ndodhur mua në protestë.
E mora këtë shembull për të hequr një paralelizëm me atë që ndodhi ditën e sotme. Asgjë më shumë ose asgjë më pak. Janë qytetarë të cilët kanë të drejtën e tyre për të protestuar. Protesta është një e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme. Është e drejta e të gjitha të drejtave, faktikisht, që një individ ka në demokraci, dhe dhuna barbare që policia ka ushtruar sot është e papranueshme në çdo aspekt.
Shiko, disa njerëz që mbrojnë Policinë e Shtetit thonë që, nga sjellja e policisë, Shqipëria do të futet në Bashkimin Europian. Po, në rast se kjo është e vërtetë dhe shikojmë pamjet e sotme, atëherë këtu ngrihen pikëpyetje shumë të mëdha.
Në rast se ne do të futemi në Bashkimin Europian, nuk do të futemi nga politika, por do të futemi nga qytetaria dhe nga kjo lloj proteste që po bëjnë shqiptarët, pikërisht të mbledhur nga të katërta anët, në Kryeministri, në Parlament apo në rrugët e Tiranës, kur ata marshojnë.
Është ushtruar dhunë. Dikujt i është thyer hunda, dikush është çarë në fytyrë, të tjerë janë goditur me shkop gome, me shkelma dhe me lloj-lloj mjetesh të tjera që policia ka përdorur në mënyrë joproporcionale, spray piper apo histori të tjera që ne, faktikisht, që jemi rritur nëpër protesta apo kemi organizuar protesta, na duken gjëra të zakonshme. Por për qytetarët, të cilët e kanë provuar për herë të parë dhunën ditën e sotme, sigurisht që është e papranueshme.
E dënoj fuqishëm ndërhyrjen e policisë dhe, sigurisht, kërkoj që ata protestues që janë arrestuar në mënyrë të paligjshme të lirohen menjëherë nga komisariati, pa shkuar fare në gjyq. Sepse nuk ia vlen të shkosh në gjyq për kapriçot e policëve, që në fakt sot u kthyen në shërbëtorë të deputetëve, të cilët nuk dinin nga të hynin në Parlament.
Pra, imagjinoni, vota në Shqipëri delegohet, pushteti delegohet në Parlamentin e Shqipërisë me 140 deputetë, dhe këta, që presupozohet të jenë përfaqësuesit e qytetarëve shqiptarë, të popullit shqiptar, sot fshihen pikërisht nga qytetarët. Nga ata qytetarë të cilët ua kanë dhënë votën, nuk ka rëndësi majtas, djathtas, në qendër, partitë e vogla, të mëdha, të mesme e të tjera.
Por, në momentin që ti nuk futesh dot në Parlamentin e Shqipërisë dhe kërkon vrima miu për të hyrë në Parlament, atëherë këtu nuk kemi të bëjmë më me politikë, me parlamentarizëm, aq më pak me demokraci.
Unë gjykoj që këta policë, të cilët marrin rroga krejt modeste, që janë të tradhtuar nga qeverisja, sot kanë bërë një shërbim ndaj këtyre deputetëve. Thuhet se Parlamenti është objekt i një rëndësie të veçantë. Gjithsesi, Parlamentin e përcakton populli, e përcaktojnë qytetarët.
Nuk e di se në ç'mënyrë do të zhvillohet jeta parlamentare në Shqipëri. Por ajo që shihet është një irritim nga ana e qytetarëve, të cilët nuk e pranojnë dot këtë situatë. Protesta deri tani ka prodhuar gandizëm, pra ka prodhuar qëndresë, qytetari e të tjera. Dhe, në momentin që protestuesit gjuajnë me vezë, një mënyrë krejt demokratike, për hir të së vërtetës, në të gjithë Europën Perëndimore, këta janë të gatshëm, në mënyrë joproporcionale, për të goditur dhe për të rrahur protestuesit barbarisht.
Një burrë me biçikletë sot, që s'kishte fare lidhje me protestën, është goditur barbarisht nga policia. Pra, këta nuk pyesin; të marrin përpara, nuk ka rëndësi nëse je apo s'je në protestë.
Aktivisti Altin Goxhaj është arrestuar, shumë aktivistë të tjerë janë arrestuar, kështu që kërkohet menjëherë lirimi i tyre, minimalisht.
Shiko, Edvin, ne kemi qenë në protesta edhe bashkë, me njëri-tjetrin, sepse jemi qytetarë në radhë të parë. Përpara se të jesh gazetar, je qytetar.
Edhe unë të njëjtën gjë shoh. Unë gjykoj që ditën e sotme nuk ka pasur një ndeshje midis qytetarëve dhe policëve, siç është forma klasike e asaj që quhet protestë, e cila ndodh rëndom në Europën Perëndimore çdo ditë. Është djegur Harku i Triumfit, janë djegur rrugët e Parisit, madje edhe monumente kulture.
Sot është shumë i drejtë konstatimi që ju bëni: si me thikë u ndërpre protesta përgjysmë. Në vend që policia të garantojë protestuesit që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar, në këtë rast një të drejtë qytetare, ata kanë marrë një urdhër, me sa duket, nga Taulant Balla, i cili, në gjykimin tim, është ministri në hije i Brendshëm. Ai ka lidhje edhe me krimin e organizuar dhe ne kemi të bëjmë me disa ministra kukull deri tani.
Dhe zotëria në fjalë, i cili dha urdhër, sepse iu prek sedra që po u cënoheshin deputetët nga thirrjet e qytetarëve apo u godit një deputet me vezë, ndërkohë që ata qytetarë nuk e dinin fare që ishte deputet. Pra, imagjinoni çfarë figurash kemi ne, deputetë që s'ia kemi idenë se kush janë.
E parë në këtë këndvështrim, policia politike, në këtë rast, me një urdhër nga lart, vazhdoi duke ushtruar dhunë. Ndërkohë, neni 55 i ligjit për tubimet përcakton shumë qartë sjelljen e policisë kur qytetari del në protestë, dhe policia është garant i protestës së qytetarit, jo ta prishë protestën dhe të bllokojë të gjitha rrugët që çojnë te Parlamenti i Shqipërisë, te Akademia e Shkencave, te një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, që është Kalaja e Tiranës, me tre hyrjet e saj të bllokuara.
Imagjinoni se si këta e paralizuan fare Tiranën sot. Tregojnë që nuk janë profesionistë, tregojnë që funksionojnë me urdhra nga lart dhe tregojnë që nuk kanë kurajë për t'u thënë "jo" urdhrave të paligjshëm.
Flas gjithmonë për shefat e tyre, sepse ka një problem. Policët e tjerë janë në një hall shumë të madh dhe janë të tradhtuar nga urdhrat e paligjshëm që marrin.
Pra, po, është e vërtetë që ata kanë zbatuar sot një urdhër të paligjshëm, kanë ushtruar dhunë mbi qytetarët, të paimagjinueshme në gjykimin tim, por kjo është një thirrje shumë e madhe për qytetarët.
© SYRI.net