Partia Demokratike ka dënuar ashpër ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve para Kuvendit, duke e cilësuar atë si një akt dhune të urdhëruar politikisht kundër qytetarëve që po demonstronin në mënyrë paqësore.
Në një deklaratë zyrtare, PD akuzon kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Taulant Balla për përgjegjësi direkte në përdorimin e forcës ndaj protestuesve, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të gjithë të shoqëruarve.
Sipas opozitës, ngjarjet e sotme tregojnë fytyrën e vërtetë të qeverisë, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të solidarizohen dhe të mbështesin protestat kundër mazhorancës.
Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë
Partia Demokratike ndoqi sot me shqetësimin më të madh, skenat e dhunës shtazarake të urdhëruar nga Edi Rama dhe Taulant Balla ndaj protestuesve paqësorë që kishin rrethuar parlamentin.
Me urdhër të Edi Ramës, sot narkopolicia përdori lëndë toksike, gaz lotsjellës të skaduar, përdori spray ariu, lëndë piroteknike, topat e ujit, zvarritjen, përgjakjen e protestuesve paqësorë me një egërsi të papërmbajtur.
Partia Demokratike deklaron se me këto akte, Edi Rama dhe organizata e tij kriminale, shpërfaqin para shqiptarëve moralin dhe fytyrën e tyre kriminale të vërtetë.
Dëshmuan se janë të aftë dhe të gatshëm, të ndërmarrin çdo krim dhe çdo akt për të mbrojtur karrigen e tyre.
Me dhjetëra e dhjetëra protestues u morën forcërisht dhe me dhunë për t'u transferuar në qelitë e komisariateve.
Edhe një herë, kërkojmë lirimin e menjëhershëm, të të gjithë të ndaluarve, protestues paqësorë që po protestonin në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Dënojmë me forcën më të madhe dhunën e egër të ushtruar ndaj tyre dhe u bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë, të bashkohen, të solidarizohen, të mbështesin me të gjithë potencialet e tyre suksesin e pandalshëm të lëvizjes rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi nga vitet '90.
© SYRI.net