Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 28-të e protestës qytetare: Edi Rama jepe dorëheqjen

VIDEO/ Eurodeputetja italiane Ilaria Salis në protestën qytetare në Tiranë: Shqipëria nuk është në shitje

20:34, 27/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mbështetja ndërkombëtare për protestën qytetare po zgjerohet. Në ditën e 28-të të protestës në Tiranë, eurodeputetja italiane Ilaria Salis mbajti një fjalim të fortë në mbështetje të qytetarëve shqiptarë, duke deklaruar se Shqipëria nuk mund të trajtohet si një mall që u shitet interesave të mëdha ekonomike dhe politike.

Duke iu drejtuar protestuesve, Salis tha se Evropa e vërtetë nuk gjendet në korridoret burokratike të Brukselit, por në rrugët ku qytetarët ngrihen për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të ardhmen e vendit.

Fjala e eurodeputetes italiane, Ilaria Salis:

Përshëndetje Tiranë!

Për mua është një nder dhe një kënaqësi e madhe të jem sot këtu me ju.

Sepse këtu, në këto rrugë, në zemër të Revolucionit të Flamingove, mund të shohim Evropën më të mirë. Jo në Bruksel, por pikërisht këtu në Tiranë.

Këtu populli afirmon me trupat e tij, me inteligjencën e tij, me nevojat e tij dhe me ëndrrat e tij, të drejtën themelore për të vendosur mbi të ardhmen e vet.

Shqipëria, toka e saj, bukuria e saj dhe trashëgimia e saj kulturore nuk janë një mall që mund t’i shitet ofertuesit më të lartë.

Ishulli i Sazanit dhe Laguna e Nartës duhet të mbeten zona të mbrojtura për të gjithë dhe për brezat e ardhshëm. Ato nuk duhet të shndërrohen në një park lojërash për të pasurit.

Është e drejtë të kundërshtohet një model zhvillimi i bazuar mbi korrupsionin, privatizimet dhe fitimin e pak të privilegjuarve. Një model që nuk sjell mirëqenie për popullsinë, por u shërben vetëm interesave të të pushtetshmëve.

Dhe fatkeqësisht, e gjithë kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Ndodh edhe në mbarë Evropën dhe në mbarë botën.

Për këtë arsye, ajo që po bëni sot këtu është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Ju po bëni histori!

Po tregoni një rrugë për të gjithë popujt. Një rrugë të ndërtuar mbi guximin, dinjitetin dhe veprimin kolektiv.

Një shembull që na fton të rimarrim në duart tona fatin tonë dhe të mos lejojmë që oligarkitë të vendosin gjithçka për ne.

Shqipëria nuk është në shitje!

Evropa nuk është në shitje!

Bota nuk është në shitje!

Të drejtat e njerëzve dhe të natyrës duhet të vijnë gjithmonë përpara parasë, imperializmit, kolonializmit dhe pushtetit të të pasurve.

Rroftë Revolucioni i Flamingove!

Vazhdoni të luftoni, të ëndërroni dhe të ndërtoni së bashku një të ardhme më të mirë.

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco