Qytetarët e Durrësit janë ngritur sot në protestë kundër vendimit të bashkisë për të bërë parkimin me pagesë . Vendimi merret në një kohë që në këtë qytet nuk ka një transport urban funksional.
“Një manifestim i qytetarëve që kërkon që kjo punë të mos bëhet pa marrë më parë mendimin e qytetarëve dhe pa rregulluar më parë infrastrukturën dhe transportin publik. Unë jam këtu si qytetare e Durrësit. Pasi ky tubim sot thashë është i qytetarëve, nuk është një tubim partiak. Qyteti është i qytetarëve, nuk është i pushtetarëve. Asnjë vendimmarrje a priori nuk mund të merret pa marrë më parë dakordësinë e qytetarëve dhe pa i siguruar atyre të gjitha kushtet që duhet për të jetuar në një qytet normal” tha një qytetare.
“Po protestojmë për këtë parkimin që bën kjo zonja kryetare. Jo nuk e përballojnë asnjëri... sidomos njëherë pensionistët e këta... edhe të rinjtë nuk e përballojnë dot. Tarifa është shumë e lartë” tha një tjetër protestues.
Ndërsa një tjetër u shpreh i zhgënjyer për keqqeverisjen e jo vetëm të kryetares së bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako por dhe të kryeministrit Rama.
“Këtu kemi dalë për të protestuar për të gjitha arsyet, jo për një. S'kemi nga t'ia nisim. Kemi një kryeministër që vjedh me fis, jo me familje po me fis, ska ku shkon më keq. Do vijojmë protestat deri sa të thejnë qafën këta hajdutët’
“Është një hap pa studim. Shumë abuzim. E shoh tepër të dëmshëm. Është si puna e çmimit të ujit, ku Durrësi ka çmimin më të lartë të ujit. Qytetari nuk është në qendër të punës së tyre. Vendimi është I padrejtë’
“Më vjen keq që qytetaria të heshtë. Duhet më shumë llogari, sepse edhe qeverisja vendore ka zënë myk. Ajo godinë është e molepsur nga vjedhja e abuzimi. Ne si qytetarë nuk presim ndonjë gjë të mirë.”
Në të gjitha rrugët e qytetit ka nisur vijëzimi i tyre dhe vendosja e tabelave. Në Zonën A, ku përfshihen rrugë si “Taulantia”, “Currilat”, bulevardet “Epidamn” dhe “Dyrrah”, tarifa do të jetë 100 lekë/orë. Në Zonën B, ku përfshihen rrugët “Aleksandër Goga”, “Mujo Ulqinaku”, “Stefan Kaçulini” dhe të tjera, tarifa do të jetë 40 lekë/orë.
© SYRI.net