Nador Bakalli: Të rinjtë i dhanë leksion demokracie vendit, kryeministri është ‘i përfunduar’

22:45, 26/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Aktivisti i diasporës, Nador Bakalli, në një intervistë për Syri Tv ka komentuar rreth protestave të zhvilluara, duke vlerësuar pjesëmarrjen e të rinjve dhe duke e cilësuar atë si një reagim të një brezi të ri që ka thyer frikën. Bakalli tha se protesta ka nxjerrë në pah problemet reale të qytetarëve dhe akuzoi qeverinë për mungesë transparence, ndërsa shprehu bindjen se kryeministri është politikisht drejt fundit të tij.

Bakalli theksoi se kjo protestë i përket një brezi të ri që po shfaq një kulturë të re reagimi dhe po bën atë që brezat e mëparshëm, nuk arritën ta bënin.

“Është protesta e gjeneratës së re”, u shpreh aktivisti, duke shtuar se të rinjtë po japin një mesazh për të gjitha brezat dhe kanë bërë krenarë edhe shqiptarët në diasporë.

Ai theksoi se protesta ka nxjerrë në pah edhe pakënaqësitë reale të qytetarëve, të cilët përballen çdo ditë me probleme në shëndetësi, drejtësi, arsim, prona dhe siguri.

Duke folur për ngjarjen në Zvërnec, ai tha se ajo ishte një nga momentet që ndikoi në rritjen e reagimit qytetar, duke e përshkruar si një situatë që tregoi mungesë transparence dhe reagimi institucional.

Në fund të intervistës, Bakalli tha se e ardhmja e kryeministrit është e përfunduar politikisht, duke u shprehur se ai është “de facto i përfunduar”, ndërsa shtoi se kohëzgjatja e këtij procesi do të varet nga presioni qytetar, protestat dhe zhvillimet ndërkombëtare.

Nador Bakalli

Një protestë personalisht, për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Pra, unë erdha me një mendim që do të gjeja disa të rinj të ndrojtur që kanë dalë atje, mundohen ta thyejnë frikën. Kam gjetur, jam surprizuar për mirë në mënyrë të jashtëzakonshme. Kam gjetur një grup të rinjsh të jashtëzakonshëm që e kanë thyer ashpërsisht frikën. Pra, nuk kanë frikë t'i thonë gjërat në sy. Pra, i përplasen autokratit, këtij derëziu, e i shohim në ballkone dhe i numërojnë një nga një, siç e ka hak ai. Kështu që unë ndihem shumë mirë për këtë protestë, i përgëzoj shumë të rinjtë. Një gjë që më ka bërë shumë përshtypje është që unë, 42 vjeç, Amela, ndihem te ajo përqindja e 25% e moshës së lartë aty, dhe jam krenar për këtë punë.

Është protesta e gjeneratës së re dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo gjeneratë rritet me këtë lloj kulture, pra me kulturën e reagimit. Pra, atë që nuk e bënë dot prindërit, gjyshërit e vet, për arsye të ndryshme historike, të kohës e të tjera, kjo gjeneratë po e bën në mënyrë të jashtëzakonshme, po i jep një leksion demokracie të gjithë brezave në këtë vend. Kështu që unë jam shumë krenar për ta, i falënderoj nga zemra. Na kanë bërë ne krenarë si shqiptarë në diasporë dhe kudo. Na kanë mbushur plot zemrën të rrimë aty, sepse kjo punë ka një fund, padyshim të bekuar.

Protesta ka ekspozuar absurditetin e gjërave që thonë këta njerëz; kur them këta njerëz e kam fjalën për ata që janë në qeveri, pra për rilindësit. Ata filluan me grekët, vazhduan te serbët, shkuan te islamistët, pastaj doli algoritmi, armiku i madh, Irani ishte diku atje, Rusia e të tjerë.

Pra, absurdi i kësaj pune u ekspozua vetvetiu, se njerëzit e shohin, domethënë... nuk janë, po ta them, i kanë sytë në ballë. Pra, i shohin çfarë rrinë aty. Aty është një grup të rinjsh, aty është komshiu im, kushëriri im, ai taksisti, tjetri. Pra, ne i njohim kush janë këta njerëz. Kush janë? Janë të gjithë hallexhinjtë që vuajnë hallet e përditshme që ka ky vend. Që kanë halle në spital, halle në drejtësi, halle pronash, halle në arsim, halle në shëndetësi, halle me rendin. Pra, këta njerëz për këto halle kanë dalë.

Po, ishte Zvërneci, një investim i errët, le të themi ne, pa asnjë lloj transparence. Pamë një skenë atje makabre, ku ai zotëria u mor, u tërhoq zvarrë nga ca kapuçzinj që unë do t'i katarreja në ato libret e veta, e pamë, policia e shtetit bëri sehir aty. Ajo, si duket, ishte gota që u derdh. Pra, ato pikat e fundit që ranë dhe u derdh ajo gotë, dhe njerëzit u derdhën në rrugë për të reaguar për këtë punë.

Unë them që kryeministri sot është... për të përdorur një term në anglisht, is a dead man walking. Pra, ai është i përfunduar. Realisht, de facto. Sa do të zgjasë në kohë, kjo është për t'u parë; varet nga presioni, varet nga protesta, varet nga koniunkturat ndërkombëtare që mund të ketë, varet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të tjerë. Ai është i përfunduar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco