Në ditën e 27-të të protestës qytetare, një prej pjesëmarrësve ka lexuar publikisht një letër të një arkitekti holandez drejtuar kryeministrit, ku shkruante se, ishte i shqetësuar nëse PS-ja nuk do të fitonte zgjedhjet.
Sipas qytetarit, letra ngre edhe një debat më të gjerë mbi prirjet autokratike në qeverisje dhe dobësimin e alternativave demokratike. Qytetari deklaroi se mesazhi i protestuesve mbetet i qartë: kërkesa për dorëheqje, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.
Ai shtoi se protestuesit kërkojnë ndryshime të thella politike dhe zgjedhore, ndërsa mbylli fjalën me një mesazh simbolik për të ardhmen e vendit.
‘Të gjithë mund ta keni parë që është një letër ku një arkitekt hollandez, evropian, privatisht i drejtohet kryeministrit. Dhe unë prandaj doja ta lexoja këtu sepse të gjithë e kanë marrë sikur është diçka që e mbështet, unë në fakt e shoh sikur ai po i kërkon të njëjtën gjë si ne.
Arkitekti evropian i drejtohet kryeministrit me këto fjalë: ‘Profesioni ynë ka qenë historikisht i varur nga patronazhi politik dhe kohët e fundit na janë ndërmendur disa ide të zymta. Çfarë do të ndodhë nëse socialistët nuk i fitojnë zgjedhjet?’ - tmerrohet hollandezi se mos nuk i fitojnë zgjedhjet dhe nuk i japin ato paratë që i kanë dhënë gjithmonë.
‘A do të mundet të marrë fund papritur kjo mekë e arkitekturës bashkëkohore? A do të thahet befasisht ky burim pune që duket i pashtershëm? A do t'i duhet kësaj ushtrie arkitektësh të ulë armët po aq shpejt sa u mobilizua?’ Nuk e them thjesht për ta thënë, po për ne arkitektët do të ishte më mirë, do të ishte më mirë, kjo është shumë e rëndësishme, ‘sikur zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri thjesht të anulloheshin’.
Pra, kush do e thoshte këtë më mirë sesa një evropian dhe arkitekt madje. Madje do të shkoja edhe një hap më tej, thotë hollandezi: ‘Duke qenë se Shqipëria vazhdon të jetë një mbështetëse e ndriçuar e arkitekturës, profesioni jonë do të përfitonte jashtëzakonisht shumë, nëse vendi nuk do të zhvillonte më kurrë zgjedhje. Dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht do vazhdonit si president i përjetshëm, ndoshta të ishit edhe mbret.’
‘Kjo është e vërteta historike’, thotë arkitekti, po zhvillohet ndërsa flasim. ‘Autokracia po fiton me shpejtësi terren, si forma përcaktuese e qeverisjes së shekullit të 21-të. Shpresat për një alternativë funksionale po shuhen çdo ditë. Duket sikur po përjetojmë fundin e idesë së fundit të historisë.
Në këtë kontekst’, thotë, shumë e rëndësishme, ‘në këtë kontekst, lutja ime është sa e thjeshtë aq edhe e drejtpërdrejtë: në një botë autokratësh, a mund të kemi të paktën një autokrat të pashëm dhe me shije? E di se kjo që unë po ju kërkoj është sakrificë dhe jo e vogël.
Është një sakrificë me rëndësi të jashtëzakonshme. Shpresoj që ju ta merrni në konsideratë’, po thotë. Prandaj, meqenëse ai është një evropian edhe një arkitekt, unë besoj, unë nuk do ta lexoja siç e lexoni, po do ta lexoja që ai është me ne. Sepse, që të bëhesh mbret, në radhë të parë, duhet të japësh dorëheqjen si kryeministër!
Prandaj dhe ne, edhe arkitekti në formën e vet, po dhe ai vetë, këtë duam: Jep dorëheqjen, shko në zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike dhe e shohim se sa mbret do të bëjnë shqiptarët! Dhe do ta shohim ne, por dhe e gjithë Evropa se sa i duan apo nuk i duan dhe i përzënë shqiptarët autokratët dhe nuk i pranojnë kurrë në këtë vend.
Prandaj, meqenëse keni vendosur që jo vetëm ta zhdukni demokracinë, por të vendosni autokracinë madje të bëheni edhe mbret, edhe ne nuk lodhemi me zgjedhje. Prandaj, përpara kryeministrisë tek shkallët, kemi shtruar një tapet të argjendtë, një tapet të florinjtë, siç mbretërit e meritojnë.
Ne po kthehemi në skllevër, ti vazhdo mbretëro, vetëm një gjë: që ta bësh këtë, në radhë të parë jep dorëheqjen, qeveri tranzitore, zgjedhje të ndershme, ndryshimet e ligjeve, ndryshimet e kodit zgjedhor dhe pastaj e shohim se sa mbret do të bëjnë shqiptarët dhe diaspora!
Dhe përsa i përket arkitektit dhe gjithë shpurës që vijnë këtu për të grabitur shqiptarët, po ju them një gjë: Edhe ju të cilët jeni anti-shqiptarë, si individë flasim, atëherë ju them: përshëndetje edhe ju bashkë me qeverinë nga të gjithë shqiptarët. Këtë vend do ta mbretërojnë shqiptarët, do ta gëzojnë shqiptarët brez pas brezi, vajzë pas vajze, djalë mbas djali.‘, tha i riu gjatë fjalës së tij në protestën qytetare.
© SYRI.net