Lajmi i fundit

LIVE- 'Rama jepe dorëheqjen', protesta në ditën e 26-të

Turizmi në betejën e mbijetesës dhe roli shkatërrimtar i qeverisë së betonit Rama!

Turizmi në betejën e mbijetesës dhe roli shkatërrimtar i qeverisë së betonit Rama!

21:05, 25/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Petrit Vasili

 

Qeveria që përbetohet për turizmin, betonon egërsisht vijën bregdetare dhe të gjitha zonat me potencial natyror të lartë.

Po kjo qeveri e betonit, që shërben si lavatriçe pastrimi parash, bën propagandë të marrë me turizmin dhe shpërndan shifra mashtruese pa pushim, duke gënjyer thjesht veten.

Rolin shkatërrimtar të saj qeveria kërkon ta fshehë me shpikje “armiqsh” të brendshëm e të jashtëm gjithfarësh, të cilat po dëmtojnë e shkatërrojnë turizmin shqiptar sipas gjoja një “komploti ndërkombëtar të mirëfilltë”.

Përtej çmendurive, çështja shtrohet:

A ka Shqipëria një industri turistike kombëtare?

Realiteti tregon qartë se Shqipëria nuk ka aspak një industri turistike të mirëfilltë, por në të shumtën e herës improvizime private turistike infrastrukturore e shërbimesh të pa standardizuara në sfondin e një infrastrukture primitive.

Qeveria në funksion të pastrimit të parave lejon dhe miraton investime klienteliste në zonat turistike pa asnjë logjikë të ndërtimit të një industrie turistike të vërtetë që siguron turizëm të qëndrueshëm dhe afatgjatë, por thjesht në funksion të biznesit të ndërtimit.

Rama dhe qeveria nuk flasin askund me indikatorë turistikë të mirëfilltë profesionalë, por bëjnë vetëm propagandë histerike me shifra pa asnjë kuptim dhe asnjë vlerë për të matur gjendjen dhe problemet e turizmit në Shqipëri.

Qeveria me një këmbëngulje idiote bën një propagandë të çmendur për miliona hyrje pasagjerësh në aeroportin “Nënë Tereza”, por kërkon të shesë kalimtarët për turistë.

Shtimi i fluturimeve low cost ka bërë që shumë emigrantë, jo turistë, të përdorin tani këtë mënyrë udhëtimi për t’u kthyer te të afërmit e tyre, ndërkohë që këtyre u shtohen hyrje mijëra shqiptarë, që kthehen me çartera nga pushimet në vende të tjera apo hyrjet rutinë të qytetarëve shqiptarë, të cilët në shumicë janë kalimtarë dhe jo turistë mirëfilli.

Indikatori themelor ndërkombëtar për turizmin është dhe mbetet netët e fjetjes turistike.

Organizata Botërore e Turizmit (OBT) përcakton qartë se:

“Që të quhet turist duhet të flejë minimumi një natë”.

Konkretisht në vitin 2025 turistë të deklaruar nga qeveria janë 12 milionë turistë, ndërsa netë fjetje vetëm rreth 9 milionë, pra rreth 0.7 netë fjetje për turist; pra të ashtuquajturit turistë të qeverisë nuk flenë asnjë natë të vetme në Shqipëri.

Çfarë ndodh me fqinjët tanë?

Kroacia në vitin 2025 ka pasur 21.8 milionë turistë dhe 110 milionë netë fjetje.

Greqia në vitin 2025 mbi 37.9 milionë turistë dhe 156 milionë netë fjetje.

Mali i Zi në vitin 2025 ka pasur 2.7 milionë turistë dhe 15.3 milionë netë fjetje.

Sllovenia në vitin 2025 ka pasur 7 milionë turistë dhe 17.8 milionë netë fjetje.

Po shërbimi turistik tek ne?

Larg, tepër larg standardeve turistike ndërkombëtare.

Improvizime të mijëra kamerierëve dhe punonjës hotelesh pa asnjë trajnim apo kualifikim, që s’kanë asnjë nivel profesional minimal.

Standardet hoteliere dhe të restoracionit, që improvizohen nga pronarë gjithfarësh, shpesh injorantë dhe në mënyrë empirike larg profesionalizmit, ku deri edhe yjet e vendosura sipas qejfit të hoteleve nuk reflektojnë shpesh asnjë lidhje me klasifikimin ndërkombëtar.

Po transporti turistik në ç’gjendje është?

Nuk ka aspak një transport turistik të mirëfilltë, por sajesa të çastit, pa rregull, pa orare, me pak mjete të standardit turistik as për arritjen në qytetet turistike dhe as transport brenda qyteteve që të mund të përballojë fluksin e turistëve.

Nuk ekziston gjëkundi transporti turistik detar, ndonëse themeli i turizmit shqiptar aktualisht është turizmi detar.

Për turizëm hekurudhor as që bëhet fjalë dhe ai është shumë larg edhe atij të kohës së diktaturës.

Ekziston vetëm një aeroport ndërkombëtar në Tiranë, ndërsa ai i Kukësit është praktikisht inekzistent.

Po infrastruktura e transportit?

Lidhja shpesh me rrugë të vetme pa rrugë alternative krijon trafik mbytës që dekurajon fort turistët. Informacioni rrugor për situatën e trafikut në kohë reale nuk ekziston, duke krijuar një situatë primitive të transportit rrugor. Rrugë që dëmtohen në vazhdimësi duke krijuar situata të papritura.

Po kontrolli mbi çmimet dhe mbrojtja e konsumatorit?

Asnjë mekanizëm nuk vepron në këtë drejtim dhe turisti bëhet pre e plaçkitjes me çmimet dhe spekulimit skandaloz me to. Qeveria nuk bën asgjë për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbrojtjen e tregut apo autoritetit të konkurrencës.

Po informacioni turistik?

Informacion tepër i varfër, aspak kapilar, primitiv, pra nuk është një lehtësim për turistin, por i paaksesueshëm, pra jofunksional, duke e lënë shpesh turistin në mëshirë të fatit apo të dashamirësisë së njerëzve të thjeshtë që duan t’i ndihmojnë.

Po formimi, edukimi dhe trajnimi turistik?

Shumë i pakët, i fragmentuar, i paorientuar në territoret me potencial turistik të lartë, i pambështetur nga qeveria dhe krejt i palidhur me tregun e punës. Kjo sjell varfëri ekstreme në profesionistë të kualifikuar sipas pozicioneve e figurave profesionale që turizmi kërkon.

Po zgjatja e sezonit turistik?

Pa zhvilluar një industri turistike që zgjat periudhën e sezonit turistik, asnjëherë turizmi nuk do të jetë industri dhe realisht influencuese në ekonominë kombëtare.

Me dy muaj turizëm në vit as që mund të flitet për turizëm as masiv dhe as të zhvilluar, por thjesht për një turizëm të kufizuar e të prapambetur.

Konkluzion:

Nuk ka as komplot dhe as armiq, por ka një qeveri peng të interesave të errëta të pastrimit të parave që po shkatërron turizmin.

Konkurrenca turistike me fqinjët nuk përballet me deklarata e propagandë, por me zhvillim real dhe me standarde.

Budallallëqet se fqinjët po tremben nga konkurrenca jonë në turizëm janë broçkulla të trasha, të denja për t’u përbuzur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco