Neza: 'Albanian Files', ktheu bregdetin në 'menu restoranti' për oligarkët dhe trafikantët e kokainës

10:10, 24/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një skandal i përmasave të paprecedentë, i njohur si "Albanian Files", ka zbardhur një skemë të frikshme se si pasuritë më të mëdha publike në vend po kalojnë në duart e një grushti të ngushtë njerëzish.

Në studion e “Kafe Shqeto”, gazetari Sami Neza theksoi se “Albanian Files” përbën një nga sinjalet më të forta publike mbi mënyrën se si po menaxhohet territori dhe pasuria publike në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi lidhjen mes vendimmarrjes politike dhe interesave të ngushta ekonomike.

Sipas tij, ajo që po del në pah është një ndarje e qartë mes dy realiteteve: një sistemi të përqendruar ndikimi, ku një grup i vogël aktorësh ekonomikë dhe politikë përfitojnë nga projektet strategjike dhe nga zhvillimi i bregdetit, dhe realitetit të qytetarëve të zakonshëm që përballen me mungesë investimesh cilësore në infrastrukturë dhe shërbime publike.

Neza nënvizoi se këto zhvillime kërkojnë transparencë më të madhe dhe një debat të hapur publik mbi mënyrën se si merren vendimet për pasuritë më të rëndësishme të vendit.

Pjesë nga deklarata:

Praktikisht te Albanian Files kemi dy pamje. Është pamja e cila në fakt është ekzekutuar, ka ndodhur, sepse kemi disa prej projekteve të cilat tashmë janë zbatuar në Tiranë, por edhe në bregdet. Janë produkt i vendimmarrjes së qeverisë përmes ligjit për investime strategjike, për investitorë strategjikë. Dhe pamja tjetër është ajo çfarë pritet të ndodhë nëse do të vazhdojë qeverisja e Ramës, dhe është ajo çfarë pritet të ndodhë në bregdetin shqiptar. Praktikisht, bregdeti shqiptar, zonat më të mira të tij ose zonat të cilat mund të shërbejnë për turizëm, janë planifikuar për t’u dhënë një kategorie, një grupi të caktuar njerëzish, të cilët nuk është... tashmë i njohin të gjithë shqiptarët dhe ata janë që formojnë atë pushtetin hibrid në Shqipëri.

Një pushtet hibrid i cili është shumë larg pushtetit normal ose qeverisjes normale, një pushtet hibrid që përbëhet nga financierë të cilët janë kryesisht nga trafiku i kokainës nga Amerika Latine në Evropë, përbëhet nga ndërtues ose oligarkë të cilët janë një grup shumë i vogël njerëzish, më pak se 20–30 individë, të cilët kanë akaparuar gjithë pasurinë publike në Shqipëri, e cila ka vlerën më të madhe të tregut, dhe janë... dhe është pastaj qeveria dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste, të cilët kanë gatishmërinë për të votuar ligje me porosi; qeveria ka gatishmërinë për të marrë vendime me porosi dhe për t’i shërbyer kësaj lloj klientele.

Meqenëse është zoti Koreshi në studio, dua të them se për të kuptuar më qartë shqiptarët se me çfarë qeverie kanë të bëjnë, le të kenë parasysh përmbajtjen e Albanian Files dhe përmbajtjen e videove të cilat i ka transmetuar në rrjetet sociale deputeti Koreshi. Këto janë dy pamjet e pushtetit në Shqipëri: pushteti për 30 veta dhe pushteti për gjithë pjesën tjetër të popullsisë.

Pushteti për 30 veta është tek Albanian Files, ndërsa pjesa tjetër është tek videot e Koreshit. Ku ne shohim ndotjen, mungesën e rrugëve, investime të kryera në mënyrë skandaloze, siç janë investimet në rrjetin e energjisë elektrike apo edhe në shëndetësi. Qartësisht, Albanian Files, përtej humorit që ju përpiqeni ta pasqyroni përmes saj, është edhe një dëshmi e madhe, gati-gati në këtë rast e pafajshme e Ramës, për të treguar se në ç’mënyrë funksionon pushteti në Shqipëri, qeveria në Shqipëri dhe cilët janë përfituesit e saj realë në këtë vend.

Korrupsioni në Shqipëri është endemik. Çfarë do të thotë se korrupsioni në Shqipëri është i shtrirë, është kapilar, është i shtrirë që nga nivelet e larta të qeverisjes e deri tek nivelet e ulëta të saj. Kjo e bën të vështirë, në fakt, përballjen me korrupsionin për shkak të asaj që sapo thatë ju, sepse krijohet një situatë normale. Si të thuash, nuk e kemi më korrupsionin si ngjarje, por e kemi përditshmëri. Dhe për sa kohë ai bëhet përditshmëri, atëherë edhe adresimi i korrupsionit me metodat që adresohet një ngjarje jo ligjore është pak më i vështirë. Megjithatë, Albanian Files, nëse shpjegohet në detaje edhe me njerëz të ekspertizës, me arkitektë, me ekologë, me njerëz të cilët merren me çështje sociale, domethënë me ndërtimin e raporteve midis zhvillimit dhe nevojave të popullsisë për këtë tip zhvillimi, atëherë do të kuptohej shumë mirë se çfarë është Albanian Files në fakt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco