Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po sillet me arrogancë dhe përçmim ndaj qytetarëve pas shumë vitesh në pushtet.
Në një status në rrjetet sociale, Zhupa shprehet se Rama, i cili dikur premtonte “Shqipërinë që duam”, sot përballet me një realitet tjetër, ku sipas saj “Shqipëria nuk të do më”.
Ligjvënësja demokrate argumenton se përgjigjja e qeverisë ndaj shqetësimeve të qytetarëve për korrupsionin, pronat, emigracionin dhe skandalet ka qenë përçmuese, duke e cilësuar këtë si shenjë të shkëputjes së kryeministrit nga realiteti.
Sipas Zhupës, historia politike tregon se momenti kur një qeveri nis të përçmojë qytetarët është edhe momenti kur fillon rënia e saj, ndërsa përfundon reagimin me mesazhin se shqiptarët i kanë marrë tashmë mesazhet e pushtetit: “Message received”.
Reagimi i Ina Zhupës:
Kryeministri i lodhur nga pushteti, dikur premtonte ‘Shqipërinë që duam’, sot duket qartësisht se shqiptarët ja kanë kthyer në “ Shqipëria nuk të do më”.
Paska ardhur dita që kryeministri të flasë me shqiptarët në gjuhën e ‘fuck you’. Në fakt nuk është surprizë. Kur qytetarët ankohen për korrupsionin, përgjigjja është ‘fuck you’. Kur protestojnë për pronat, përgjigjja është ‘fuck you’. Kur largohen masivisht nga vendi, përgjigjja është ‘fuck you’. Kur kërkojnë llogari për skandalet, përgjigjja është po e njëjta.
Problemi është se pushteti i gjatë të krijon iluzionin se qytetarët duhet të durojnë gjithçka. Se mund t’i përçmosh, t’i injorosh, t’u japësh leksione dhe ata përsëri do të heshtin. Por historia politike ka treguar gjithmonë se momenti kur një qeveri fillon të përçmojë qytetarët është momenti kur ka nisur rrëzimi i saj pa kthim. E sigurt është që shqiptarët sot thotë “message received”!
© SYRI.net